“Ka përdorur helikopterin e ushtrisë për fushatë”, Xhaçka padit PD-në

Gjatë ditës së sotme, Ministria e Mbrojtjes ka dorëzuar në gjykatë një padi kundër PD lidhur me akuzat se ministrja Olta Xhaçka kishte udhëtuar me helikopterin e ushtrisë në Dibër për fushatën e PS. Në një njoftim për mediat, thuhet se do të jetë gjykata që do të thotë fjalën e fundit.

“Ministri i Mbrojtjes padit për shpifje PD dhe përfaqësues të saj, pas akuzave për përdorim të mjeteve të Forcës Ajrore në fushatë zgjedhore”, thuhet në reagimin e shpërndarë për mediat.

Partia Demokratike ka hedhur akuza mbi Olta Xhaçkën, se kjo e fundit ka përdorur helikopterin e ushtrisë, për të shkuar në takimet elektorale të PS në Dibër. PD ka publikuar disa prova, që sipas saj, faktojnë akuzat që janë ngritur kundër ministres.

Pak ditë më parë, Partia Demokratike i ka kërkuar ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, të japë shpjegime përse gënjeu shqiptarët, duke thënë se nuk ka përdorur helikopterë të dikasterit që ajo drejton për fushatë elektorale.

Selia blu pretendon se Xhaçka ka udhëtuar dy herë me helikopter për në Dibër, pasi ka zhvilluar takime me strukturat e Partisë Socialiste në këtë qark.

Sipas demokratëve, ky udhëtim për qëllime elektorale i ministres Xhaçka i ka kushtuar buxhetit të shtetit 10 mijë euro, ndërkohë që qytetarët përballen me një krizë të dyfishtë, shëndetësore për shkak të pandemisë dhe atë ekonomike.