Në librin e tij që sapo ka dalë nga botimi: “Republika e Parë”, që është një histori politike e Kosovës, gazetari Mero Baze ka trajtuar edhe sesi Shqipëria e kohës ka reaguar ndaj zhvillimeve atje.
Nga Mero Baze
Demonstratat e vitit 1981 si përballje e komunizmit jugosllav
Me nacional – komunizmin shqiptar, enigma nëse demonstratat ishin organizuar apo vetëm frymëzuar nga Tirana, ka vazhduar gjatë dhe e vërteta duket se është diku në mes. Shqipëria ka frymëzuar demonstratat jo nga pikëpamja logjistike, por nga modeli nacionalkomunist dhe retorika e shtetit “që nuk pyeste për dy superfuqitë.” E vetmja ndihmë logjistike mund të quhet depërtimi i librave të Enver Hoxhës te organizatat e LPK-së. Kushtetuta e vitit 1974, i hapi rrugë një bashkëpunimi kulturor dhe arsimor me Shqipërinë. Koncertet e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve nga Tirana ishin ngjarje kulturore dhe polilitike në Kosovë, ndërsa dhjetëra pedagogë nga Tirana, jepnin leksione në Prishtinë. Ismail Kadare vizitoi Prishtinën duke ngritur dukshëm stekën e krenarisë kombëtare të Kosovës para pjesës tjetër të Jugosllavisë. Kulmi u arrit me festimin zyrtar të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, duke qenë përgjegjës i festimeve nënkryetari i qeverisë Pajazit Nushi. Të gjitha këto liri kulturore dhe politike ishin themeli i një frymëzimi të ri kombëtar në Kosovë.
Kundërpërgjigjja e Serbisë ishte e ashpër. U mbushën burgjet me veprimtarë politikë dhe studentë protestues. Në sytë e Perëndimit, Serbia arriti t’i paraqesë demonstratat si përpjekje të Tiranës zyrtare për të zëvendësuar komunizmin titist m enverizmin në Kosovë. Pas kësaj lëvizjeje ishte (LPK) – Lëvizja Popullore e Kosovës, një derivate nacionalkomunist, adhuruese e Partisë së Punës në Shqipëri, e cila kishte kontakte të rregullta me krerët e saj në emigracion, kryesisht Zvicër e Gjermani.
26 marsi ishte ditë manifestimi sportiv, ishte parashikuar mbërritja e stafetës së rinisë. Studentët protestues dolën në rrugë me flamurin kombëtar të Shqipërisë me yllin komunist mbi shqiponjë. Pas shpërndarjes së dhunshme nga policia e ardhur enkas nga Beogradi dhe nën terrorin e avionëve që fluturonin ulët mbi Prishtinë, demonstratat u shpërndanë, por gjendja nuk u qetësua. Më 1 prill, punonjësit e kombinatit të ndërtimit “Ramiz Sadiku”, të njohur për greva të vazhdueshme kundër korrupsionit të udhëheqësve komunistë, organizuan një marshim në qytet për të kërkuar lirimin e studentëve. Punëtoreve iu bashkuan rreth 15.000 qytetarë dhe gjithçka u kthye në tubim revolucionar, ku u kërkua lirimi i Adem Demaçit dhe të burgosurve të tjerë politikë. Pas një incidenti, afër mbrëmjes kur policia tentoi t’i shpërndajë, demonstruesit iu kundërpërgjigjën me gurë, duke thyer gjithçka rrotull. Në mbrëmje u vendos shtetrrethimi.
Në orën 11.00 të natës ndërhynë tanket, ndërsa avionët fluturonin mbi qytetin që të nesërmen u gdhi i shkretë. Askush nuk shkoi dot në punë. Në mesditë, dy tanke u sulmuan me shishe benzine dhe u dogjën, ndërsa policia hapi zjarr duke lënduar një numër ende të paqartë qytetarësh dhe qindra të tjerë të arrestuar. Demonstratat e mars-prillit 1981, megjithatë e tronditën Kosovën dhe klasën politike aty; shërbyen më shumë si revolucion antiburokratik i regjimit jugosllav, i cili zëvendësoi kuadrot e vjetër të Beogradit me një brez të rinjsh besnikë të politikës jugosllave.
Demonstratat patën kërkesa të mirëfillta politike, “Kosova Republikë”, kërkesa për pjesëmarrje më të madhe të studentëve në drejtimin e universitetit, kërkesa për liri shtypi dhe rishikim të sistemit elektoral. Propaganda e Serbisë, demonstratat ia veshi Tiranës zyrtare, duke i konsideruar si rrezik i jashtëm për Jugosllavinë dhe duke kritikuar hapjen e tepruar me Shqipërinë, sidomos kontaktet kulturore. Disa pedagogë që jepnin mësim nga Shqipëria në Kosovë u konsideruan të rrezikshëm, iu ndalua hyrja edhe pse shumica e tyre u përkisnin shkencave natyrore. Ndërkohë, në tarracën e Ambasadës Jugosllave në Tiranë, më 23 maj, u hodh një granatë pa bërë dëme. Gazeta “Politika” e Beogradit, e datës 3 qershor 1981, akuzon emigrantin politik Hysen Tërpeza si autor të këtij sulmi, por ai rezultoi se në atë kohë ishte në SHBA dhe e përgënjeshtroi lajmin për shtypin perëndimor. Por në fakt, për bombën mbi ambasadën jugosllave, Sigurimi i Shtetit në Shqipëri ka dënuar dy disidentë shqiptarë, Pirro Prifti dhe Sejfulla Teta.
Përpjekjet për t’i lidhur protestat me çdo kusht me Tiranën, ishin i vetmi shpëtim për Beogradin që në sytë e Perëndimit e paraqiste si lëvizje për të triumfuar komunizmi në Kosovë. Nevoja për ta shkarkuar në Tiranë tensionin e rritur në Prishtinë, ishte qëllim i ditës. Gjithçka përfundoi me burgosje të atyre që konsideroheshin udhëheqës politikë të protestave, ndryshim të elitës komuniste të shqiptarëve, duke i hapur rrugë gjeneratës së Vllasit dhe shokëve të tij, si dhe fillimit të një plani afatgjatë të Serbisë për të eliminuar Kushtetutën e vitit 1974 që kishte prodhuar këto liri politike për shqiptarët.
Demonstratat e vitit 1981 dhe rëndësia e tyre, ndajnë ende opinionin publik në Kosovë. Politikanë si Mahmut Bakalli që drejtonin në atë kohë pushtetin ekzekutiv, këmbëngulin se ato demonstrata ndërprenë fuqizimin politik dhe juridik të Kosovës në Jugosllavi dhe u dhanë krahë argumenteve të unitaristëve serbë që duhet të shtypnin nacionalizmin shqiptar.
Duke shpjeguar dorëheqjen e tij nga Qeveria Krahinore në kohën e demonstratave, Bakalli thotë se mendonte që duke u bërë ai “kurban” i këtyre demonstratave, çështja mund të mbyllej aty dhe Kosova të shpëtonte. “Kisha përshtypjen se atyre ju nevojitet dikush kurban. Kam dashtë të jem unë kurban e jo Kosova dhe kam qenë i bindur se do t’i ndihmoja Kosovës. Kam menduar se pas dorëheqjes sime, tërhiqen pak sulmet kundër meje dhe puna e Kosovës nuk komplikohet dhe më shumë.” Nga ana tjetër, organizatorë të këtyre protestave i konsiderojnë ato si shenjë e pakënaqësisë që shqiptarët kishin mbi ritmin me të cilin Kosova po shkonte drejt një pushteti më të madh të saj në Jugosllavi. Thirrja “Kosova Republikë” që u bë simboli i atyre protestave, në fakt ndau përfundimisht shqiptarët nga serbët.
Prej demonstratave të vitit 1981, serbët nisën strategjinë e tyre dhjetëvjeçare të shuarjes edhe të asaj autonomie që kishte Kosova, duke e shkrirë brenda Serbisë, ndërsa shqiptarët nisën një rrugë më afatgjatë, shkëputjen përfundimtare nga Serbia. Serbët e arritën objektivin e tyre më 1989, kurse shqiptarët dhjetë vite më vonë. Më 1999.
Lëvizja demokratike nuk ishte “pranvera” që Tirana donte për Prishtinën
Fundi i viteve ’80, për Kosovën lidhet me një erë të re politike që ndryshoi përfundimisht fatin e saj në fund të shekullit që shkoi. Deri në vitet ’80, fuqia reale politike e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë dy ekstremet e majta: komunizmi jugosllav që ishte politikë zyrtare në Kosovë dhe komunizmi shqiptar që ishte frymëzues për një opozitë të re atje.
Komunizmi shqiptar ndikimin në vend nuk e kishte si strukturë konkrete, por si ide. Izolimi i fortë i Shqipërisë dhe idolatria e figurës së Enver Hoxhës, në mënyrë paradoksale ka mbajtur gjallë nacionalizmin shqiptar në Kosovë. Ky nacionalizëm formësohej rreth ndjesisë së shtetit të fortë amë, “udhëheqësit” që nuk pyet për NATO dhe Traktat Varshave, udhëheqësin që i ka treguar vendin Titos etj. Përtej asaj idhujtarie, fshihej në fakt mjerimi i një vendi të izoluar dhe një udhëheqës tinëzar që nuk ekspozonte ndryshimin e padronëve nga Tito, te Hrushovi e më pas te Mao Ce Duni, por betejat me ta pas prishjes, derisa në fund mbeti vetëm dhe vendi u dorëzua disa vite pas vdekjes së tij.
Ndikimi i Shqipërisë komuniste në ngjarjet e vitit 1968 dhe 1981, ishte i qartë. Ajo kishte lidhje direkte me celulat komuniste në Prishtinë dhe diasporë, kryesisht Zvicër dhe Gjermani, por dhe një degë të Turqisë. Për këtë arsye lëvizjet e fundviteve tetëdhjetë, greva e minatorëve të Trepçës, lëvizjet e studentëve, më pas akti i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishin kthesa e parë e madhe që filloi të prezantohej politikisht si alternative demokratike në ish-Jugosllavi, duke shërbyer si shkëndijë e demokratizimit dhe shpërbërjes së saj, falë gjeneratës së re të intelektualëve të shkolluar në vitet ‘70, në Prishtinë. Ata ndryshuan historinë politike të Kosovës, se identifikuan rezistencën paqësore dhe demokracinë si objektiv të tyre, duke shkëputur të ardhmen e vendit nga ndikimi i Tiranës komuniste.
Kjo ishte pika e kthesës, kur Perëndimi zuri ta marrë seriozisht gjendjen në Kosovë si problem i saj, jo si nxitje e trazirave nga Shqipëria, siç u lodh së paraqituri Beogradi. E kundërta ndodhi. Zhvillimet në Kosovë që ecën paralelisht me rënien e Murit të Berlinit dhe komunizmit në Lindje, ishin presion i fortë dhe për ndryshimet politike në Shqipëri. Pra, ishte Kosova ajo që po ndikonte në Shqipëri, jo Shqipëria në Kosovë.
Krijimi i LDK-së dhe partive të tjera politike, si dhe organizatat e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, krijuan realitet të ri, e lidhën Kosovën me Perëndimin dhe e shkëputën atë nga ndikimi i dy lloje komunizmi që kishte operuar deri atëherë. Politikisht, Serbia bëri kujdes të shmangte fuqinë politike të LDK-së dhe energjitë që në Kosovë po mobilizoheshin prej demokracisë, duke tentuar t’i lidhte trazirat me ndikimin e Shqipërisë komuniste. Serbinë e dëshpëronte shumë shkëputja e lidhjeve të Kosovës me enverizmin në Shqipëri. Dy ishin objektivat e qarta të Serbisë për të relativizuar fuqinë politike që mobilizonte pluralizmin në Kosovë.
E para, të vazhdonte t’i lidhte ato me Shqipërinë “komuniste dhe staliniste”, siç bëri me demonstratat e vitit 1981. E dyta, t’i lidhte ato me Fadil Hoxhën, Azem Vllasin, e të tjerë komunistë të vjetër të Kosovës. Për këtë nuk linte pa qëmtuar çdo detaj që ilustronte skenarin e saj. Shqipëria realisht, prej vitit 1988, kishte heshtur për çdo zhvillim në Kosovë. Kishte mbajtur distancë nga arrestimi i Vllasit, greva e Trepçës, protestat e studentëve, aq më shumë pastaj, nga themelimi i LDK-së që i dukej diçka e pasigurt për atë që projektonte në Shqipëri.
Leonidha Mërtiri, diplomat karriere i Shqipërisë që atë vit ishte në ambasadën e Shqipërisë në Beograd, ma ka përshkruar vizitën e tij të parë në Kosovë me besnikëri të admirueshme për të ruajtur ngjyrat e diplomacisë shqiptare të kohës. Rrëfimi i diplomatit shqiptar është dëshmi për distancën që kishte Shqipëria nga trazirat në Kosovë dhe përpjekjen e saj për të qenë formalisht korrekte me Jugosllavinë.
“Më 28 dhe 29 shtator 1988, në Prishtinë u realizua vizita zyrtare e ambasadorit të Shqipërisë, Kujtim Hysenaj dhe dy bashkëpunëtorëve të tij. Sapo hymë në kufirin e Kosovës, teksa ecnim rrugëve me makinën ku valëvitej flamuri i Shqipërisë, qytetarë shqiptarë, të përmalluar dhe entuziastë ndaleshin e na përshëndesnin me dorë derisa makina jonë iu ikte nga sytë. Edhe pse nuk ishte vrarë plotësisht droja e tyre, nuk i pengoi emocionet edhe në rrugët e Prishtinës. Gjatë takimit me Remzi Kolgecin që konsiderohej si “presidenti” i Kosovës, biseda kishte tone më vllazërore. Takimi zgjati përtej parashikimit. Dy-tri herë, Kahreman Celina, drejtori i protokollit hyri në zyrë ku zhvillohej takimi për të na kujtuar orën. Kolgeci pa e prishur shumë terezinë, iu kthye: – Këta që na kanë ardhur janë të veçantë, Kahreman, le ta thyejmë protokollin! Më tej takuam kryetarin e Komunës – Prishtinë, kryetarin e odës ekonomike, Selami Kusari, sekretarin e Marrëdhënieve për Bashkëpunimin me Jashtë, Nebojša Backović dhe nënkryetarin Hazir Susuri në Këshillin Ekzekutiv.
E përbashkëta e këtyre takimeve: Interesi për Jugosllavi stabile (kur çarjet po fillonin të dukeshin), kërkesa për shtimin dhe vazhdimësinë e kontakteve dypalëshe, se shumë gjëra në Kosovë, po përmirësoheshin, se Kushtetuta e Kosovës nuk do të preket në kuadrin e Republikës së Serbisë.” Vetëm pas dhunës së ashpër të fundjanarit 1990, Fronti Demokratik, organizata e vetme shoqërore në Shqipëri ku ishte anëtar çdo shqiptar dhe kryesohej nga Nexhmije Hoxha, bëri një deklaratë që dënoi dhunën ndaj demonstratave shqiptare në Kosovë. Deklarata theksonte se gjaku i derdhur ka prekur thellë gjithë ndjenjat e popullit shqiptar. Deklarata u përforcua dhe nga Lisien Bashkurti, atëherë sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste në Shqipëri. “Fatkeqësisht, shovinistët kokënxehtë serbomëdhenj po u përgjigjen me dhunën më primitive kërkesave të drejta të popullit të Kosovës dhe shprehjes paqësore të këtyre kërkesave.”
Të dyja deklaratat u ekspozuan aq shumë në shtypin serb të Prishtinës dhe Beogradit, sa dukej sikur më në fund u gjet shkaku i protestave. Paralelisht me këto, për ta bërë më të qartë “tablonë e tij sinoptike”, Beogradi nisi fabrikimin e një procesi gjyqësor ndaj Fadil Hoxhës, udhëheqësit historik të komunistëve shqiptarë në Kosovë, antifashist i Luftës së Dytë Botërore, tashmë në pension. Po ashtu, në proces u përfshi dhe ish-kryetari i Komitetit Krahinor, Remzi Kolgeci, se gjoja qëndronin pas këtyre trazirave. I bashkuar me gjyqin ndaj Azem Vllasit e Kaqusha Jasharit, dukej si investim i fortë i Serbisë për të prodhuar një sfond nacional-komunist për trazirat.
Gjykimi i tyre dështoi, ata u shpallën të pafajshëm muaj më vonë. Ndërkohë, u liruan nga burgu Adem Demaçi dhe 100 e ca shqiptarë të tjerë. Demaçi ishte legjenda shqiptare e burgjeve të Serbisë. U lirua në fund të shkurtit, falë një amnistie. Ai ishte arrestuar si nacionalist që përkrahte bashkimin me Shqipërinë, por që në formimin e tij ishte mbështetës I komunizmit në Shqipëri. Dalja e Demaçit nga burgu dhe intervistat e para ku dukej se vazhdonte ta shikonte me simpati regjimin shqiptar komunist që po jepte shpirt, ishin po ashtu ilustrim i kësaj strategjie të Serbisë për ta përshkruar situatën të nxitur nga lidhjet me Tiranën komuniste. Kësaj fryme i shërbeu dhe sfondi i vrasjes së veprimtarit shqiptar, Enver Hadri në Belgjikë, në fund të muajit shkurt. Vrasja shkaktoi zemërim te shqiptarët në botën perëndimore, por qeveria e Beogradit nuk e mori zyrtarisht përgjegjësinë. Një seksion i shërbimit sekret jugosllav që mbulonte diasporën, ka kryer në Perëndim vrasje të shumë aktivistëve antijugosllavë, edhe nga kombësi kroate apo sllovene. Vitet e fundit, vrasësi u bë personazh popullor dhe fitoi simpatinë e publikut në Serbi, pasi hyri në një “reality show” – (“big brother.”)
Nga ana shqiptare, besohet se në këtë mënyrë janë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, ndërkohë që iu është bërë atentat disa veprimtarëve të tjerë, si Xhavit Halitit, Xhafer Shatrit etj. Gjithçka bëhej me qëllim që të krijohej konfuzion se me kë e kishte Serbia betejën në Kosovë, gjithashtu për të ngjallur mosbesim te Perëndimi se aty po bëhej përpjekje për demokraci dhe liri të shqiptarëve. Duke dënuar ish-komunistët, duke liruar nga burgu nacionalistët e dënuar politikisht apo duke vrarë figura të njohura nacionaliste në Perëndim, krijohej konfuzion, relativizohej orientimi i ri properëndimor i shqiptarëve.
Gazeta serbe “Politika Ekspres”, më 1 shkurt shkruan: “Ish-udhëheqësit komunistë të Kosovës kanë rënë në kontakt me sigurimin e shtetit në Shqipëri dhe po organizojnë protesta për destabilizimin e Kosovës. Mes protestuesve janë kapur persona me pasaporta false që janë shtetas të Shqipërisë të infiltruar aty nga Rumania, Hungaria apo Vjena.” E gjitha duket përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur Kosovën lidhur me ndikimin e Shqipërisë komuniste, ndërkohë që vetë Shqipëria komuniste po bënte ç’ishte e mundur të mbante larg ndikimin e Kosovës demokratike në Shqipëri.
Slobodan Milošević në kryesinë e Lidhjes Socialiste të Serbisë, në një fjalim kushtuar Kosovës e zgjeroi më tej këtë tezë, duke theksuar: “Protestat e këtij fillimviti në Kosovë kanë shfrytëzuar momentin e rëndë të krizës jugosllave. Shqiptarët janë përgatitur për këtë krizë, duke krijuar një fasadë partish demokratike, duke bashkëpunuar me republika me tendenca separatiste si Kroacia dhe Sllovenia dhe duke mbajtur gjallë ëndrrën nacionaliste të bashkimit me Shqipërinë.
Po asgjë nga këto nuk ngjiti. Trazirat në Kosovë ishin shpërthim i pritshmërisë së lartë që shqiptarët kishin tashmë nga demokracia dhe jo nga komunizmi. Partitë e reja politike u treguan të kujdesshme dhe nuk u përfshinë në këtë debat.
Në një takim organizuar në Vjenë nga Federata Ndërkombëtare e Helsinkit, ku morën pjesë Ibrahim Rugova dhe Shkëlzen Maliqi, ky qëndrim ishte dhe më i qartë. Shkëlzen Maliqi tha se shpresonte “në ndryshime të shpejta demokratike edhe në Shqipëri, pasi ato do të kishin ndikim pozitiv për gjendjen në Kosovë. Ky këndvështrim i politikës së re të Kosovës ishte çarmatosës për përpjekjet e Beogradit që i projektonin trazirat në Kosovë si ndikim i Shqipërisë komuniste.
Vizioni i Ibrahim Rugovës ishte i qartë. Ai kërkonte vazhdimin e demokratizimit të Kosovës dhe njohjen e realitetit të ri demokratik. Ai ishte i ftohtë në qëndrimin ndaj klasës komuniste në Shqipëri dhe fliste vetëm mbi nevojën për demokratizim. Përshëndeste çdo hap të Shqipërisë drejt demokratizimit, lirimit të të burgosurve politikë, hyrjes në KSBE, vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Pérez de Cuéllar në Tiranë, vizitës së Ramiz Alisë në SHBA etj. Qasja e tij ishte se një Shqipëri demokratike e ndihmonte Kosovën dhe jo e kundërta. Kjo i linte në muze armët e kundërshtarëve serbë, pasi nuk e përdornin dot kundër tij Shqipërinë komuniste. Në atë kohë Shqipëria e kishte po kaq frikë procesin e demokratizimit të Kosovës, sa dhe Serbia. Ai demokratizim ishte sinjal i frikshëm për Shqipërinë komuniste, pasi mund të nxiste forcat e brendshme demokratike atje.
“Zëri i Amerikës” që intervistonte ndërkohë intelektualët e parë nga Tirana, e kishte të vështirë t’u rrëmbente atyre simpatinë për lëvizjen demokratike në Kosovë. Ajo po prodhonte një erë të re, një diell që “fort po shndriste e pak po ngrohte” Shqipërinë komuniste. Nuk ishte “pranvera” që Tirana zyrtare donte për Prishtinën.