Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka paralajmëruar rrëzimin përfundimtar të kryeministrit Rama. I rrethuar nga protestues të shumtë para Drejtorisë së Policisë Tiranë, ai garantoi se qeveria “Rama” i ka orët e numëruara, dhe se protesta e nesërme do të jetë goditja finale.
Basha tha se gazi lotsjellës që u hodh nga policia ishte një akt kriminal. Kreu demokrat foli për një “juntë kriminale” që sot drejton vendin. Po kështu paralajmëroi se me protestën e ditës së hënë, Edi Rama do të marrë përgjigjen që meriton.
“Vetëm pak orë më parë, e gjithë qendra e Tiranës, rrugët e sheshet, shtëpitë e tiranasve u mbushën nga dozat luftarake të gazit helmues dhe gazit lotsjellës, që ishte akti kriminal, me të cilin kjo juntë kriminale u përgjigjet aspiratës së shqiptarëve për liri e demokraci.
E kanë të kotë. Populli, opozita, shqiptarët nuk ndalen.
Javë pas jave e muaj pas muaji që nga dita kur Edi Rama e mori pushtetin me bandën e krimit, është asgjësuar çdo institucion. Parlamenti ishte i pari që ra.
Në ato karrige ulen sot figurina që janë zgjedhur me gishtat, duart, mendjet e krimit dhe jo me votën e lirë të shqiptarëve. Ata nuk përfaqësojnë as demokratët, as socialistët, por faqen e zezë, llumin që e ka marrë peng këtë vend.
E gjithë Shqipëria e bashkuar kundër një grushti horrash që përmes një grushti shteti kanë instaluar juntën në vend. Junta i ka orët e numëruara, Maduro i Ballkanit i ka orët e numëruara. Skenari i dhunës që vuri dje në lëvizje me kriminelë të veshur me uniform, me kriminelë të tjerë të infiltruar në turmën e protestuesve paqësorë, skenari i shërbeu Ramës vetëm për të treguar para botës se i vetmi i interesuar për dhunë është kreu i Juntës”, tha Basha.