Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, ka sfiduar ish-kryeministrin Berisha, për çështjen e firmave. Mjaft i drejtëpërdrejtë në qëndrimin e tij, ai pret që Berisha ti tregojë nëse i ka mbledhur firmat, ashtu sikundër ka konfirmuar një ditë më parë. Bardhi ka shprehur keqardhjen, për atë që ai e konsideron si një tallje me anëtarët e PD-së. Ai nënvizoi ndër të tjera se Partia Demokratike është një institucion, dhe se nuk veprojnë në ilegalitet. Berisha u shpreh se janë 4200 firma, dhe ia dorëzoi kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka. Kreu i PD tha sot se ka informacione se Berisha ka bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama për të bërë një “puç” në Partinë Demokratike.
“Për fat të keq dhe dua të shpreh keqardhjen time, tallja me anëtarët e PD-së vijon edhe sot. PD është institucion, respekti është primar, ne nuk veprojmë në ilegalitet, nuk kemi halle për zbatimin e ligjit dhe në funksionimin tonë kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të zbatuar rregullat e brendshme të PD-së, statutin.
Dua të konfirmoj se në PD nuk ka ardhur asnjë kërkesë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Ajo që shqiptarët dhe veçanërisht mbështetësit e PD-së kanë parë ka qenë një bllok i madh, tallje me mundin e demokratëve për halle dhe probleme personale, sepse nuk u arrit që të siguroheshin ¼ e firmave të anëtarëve për nisjen e procedurës për thirrjen e Kuvendit. Nëse i kanë firmat ti depozitojnë në protokollin e PD-së, çdo institucion ka përgjegjësinë për të respektuar vullnetin e demokratëve”, tha ai.