Nga George Friedman, “Geopolitical Futures”
Lajmet e kësaj jave nga Ballkani, ka qenë ogurzeza. Serbia ka lëshuar akuza ndaj Kosovës dhe përkrahëses së saj, Shqipërisë. Serbia vazhdon ta shohë Kosovën si një kërcënim për interesin e vet kombëtar. Rusët shprehën mbështetjen e tyre, jo vetëm për serbët e Kosovës, por edhe për serbët që jetojnë në Bosnje.
Muajin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin priti në një takim në Moskë homologun serb. Ndërkohë, miqësia e SHBA-së me Shqipërinë është e thellë, duke e bërë edhe më të rrezikshëm pretendimin serb për Kosovën.
Një lajm më pak ogurzi, por jo më pak i rëndësishëm, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi një tubim elektoral, muajin e kaluar në Sarajevë, kryeqytetin kryesisht mysliman të Bosnjës, dhe shtëpia e një numri të madh emigrantësh turq, për të fituar mbështetjen e këtyre të fundit, dhe për t’i treguar votuesve në shtëpi se ndikimi i Turqisë në Ballkan po përhapet.
Ballkani është gjendur gjithmonë midis fuqive të mëdha. Nuk është gjithashtu e pazakontë që Ballkani të duket sikur është të prag të luftës.
Ata zakonisht e shmangin këtë të fundit. Kur dështojnë, rezultati është katastrofik. Përfundimisht, kjo katastrofë do të vijë, por më mirë se sa të guxosh të hamendësosh se kur do ndodhë, gjëja e rëndësishme është të kuptojmë dinamikën që çon në këtë pasiguri – duke filluar me gjeografinë.
Unë e mendoj Ballkani të ndarë në dy pjesë, veriu dhe jugu. Veriu është në përgjithësi një zonë fushore, e ndarë midis Kroacisë, Serbisë dhe Bosnjës. Kroacia, një vend me shumicë katolike me lidhje historike me Hungarinë dhe lidhje aktuale me Gjermaninë dhe Bashkimin Europian, është tërësisht në këtë fushë.
Serbia, një vend i krishterë ortodoks, shtrihet kryesisht në fushë. Po kështu edhe pjesa veriore e Bosnjes, është një zonë e dominuar nga serbët. Pjesa jugore e Ballkanit – Bosnja e jugut, Mali i Zi, Serbia Juglindore, Maqedonia dhe Shqipëria – është kryesisht malore. Bosnja Jugore dhe Shqipëria janë kryesisht myslimane. Maqedonia, është një përzierje e të krishterëve ortodoksë dhe shqiptarëve myslimanë.
Nëse kjo duket e komplikuar, kjo është arsyeja se përse. Nacionalizmi në rajon është aq intensiv, pasi është aq shumë i brishtë. Shtetet-kombe, janë etnikisht heterogjene, dhe i janë kundërvënë për një kohë të gjatë njëri-tjetrit.
Shtetet e ndryshme i frikësohen fqinjëve të tyre, kështu që ata i përdorin këto ndarje etnike për t’i dobësuar ata, gjë që shkakton më shumë frikë. Përveç kësaj, serbët dhe kroatët flasin gjuhë të ngjashme, dhe reciprokisht të kuptueshme. Por njëra është pjesë e botës katolike, dhe tjetra e botës ortodokse.
Njëra është e orientuar drejt Gjermanisë, tjetra drejt Rusisë. Dhe ata kanë luftuar me egërsi njëri-tjetrin gjatë Luftës së Dytë Botërore – Kroacia në aleancë me Gjermaninë, Serbia me Aleatët.
Kjo shpjegon se si është aktualisht Ballkani, por nuk shpjegon se si mbërriti në këtë situatë. Duhet të kuptohet se këto vende dhe grupime etnike, janë rezultat i mijëvjeçarëve të konfliktit midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, një konflikt para Krishterimit dhe Islamit, por dhe një tjetër që vazhdoi pas shfaqjes së tyre.
Aleksandri i Madh, ndërtoi një perandori deri në Afganistan. Romakët kaluan nëpër Ballkan, në rrugën e tyre për të krijuar një rrugë tokësore në Egjipt, burimi i drithit për Romën. Kryqëzatat e krishtera kaluan po këtu, ashtu sikurse edhe osmanët turq kur u drejtuan për në veri për të pushtuar Budapestin, dhe pothuajse edhe Vjenën.
Dhe rusët, që gjithmonë kanë synuar të mbajnë nën kontroll Gadishullin Europian dhe Osmanët, ishin të dobishëm (së bashku me grekët) në përhapjen e ortodoksisë.
Katolicizmi, Ortodoksia dhe Islami janë angazhuar në një luftë në 3 drejtime pas shekullit XV-të, duke lidhur aleanca me njëri-tjetrin për të mposhtur atë që kishte mbetur.
Teologjia nuk ndikoi tek fuqitë e mëdha. Ajo përcaktoi ato të voglat. Ballkani, ishte një “autostradë” për të ngritur perandori, dhe një tampon kundër perandorive në rritje.
Në vetvete ato kishin pak vlerë, por qenë të domosdoshme për këdo që kërkonte të dominonte në Mesdhe, apo për të projektuar forcë nga veriu apo jugu. Kodrat dhe luginat e ndërthurura me njëra-tjetrën, krijuan një strehë për grupe të ndryshme që i mbijetuan pushtimeve nga secili drejtim, pasi përpjekja për t’i dëbuar ata nuk ia vlente.
Rezultati ishin fshatrat e rrethuara nga malet, që ruajtën identitetin e tyre edhe përballë fuqisë së madhe. Por fuqitë e mëdha e vendosën veten në rrafshina, dhe në disa lugina më pak të largëta. Kishat katolike dhe ortodokse, si dhe xhamitë flasin për këtë.
Por edhe në rajonet që kanë një besim fetar, realiteti është më kompleks. Në fshatin ngjitur, e kaluara vazhdon, dhe bashkë me të edhe zemërimi. Në Ballkan, asgjë nuk harrohet, dhe asgjë nuk falet.
Është një realitet thelbësor dhe i thellë. Ndonjëherë luftimet midis fshatrave tërheqin në betejë në fshatra të tjerë, tërheqin kryeqytete, tërheqin fuqi të mëdha. Ndonjëherë fuqitë e mëdha që konkurrojnë me njëra-tjetrën, tërheqin kryeqytetet dhe fshatrat e Ballkanit.
Sido që të jetë, ekzistojnë konflikte të panumërta lokale, dhe fuqi të pafundme që kërkojnë hegjemoni mbi një kontinent, dhe së bashku ato i hapin derën gjitha ligësive në rajon.
Sot, rusët u “pëshpëritin” serbëve, amerikanët shqiptarëve, gjermanët kroatëve. Fshatrat dëgjojnë thashethemet, dhe ja ku fillojnë sherret. Ballkani nuk është vendi i vetëm në botë ku kjo ndodh, por s’ka vend tjetër në glob që të jetë kaq i rëndësishëm për kaq shumë fuqi të mëdha.
Prandaj, nuk është për t’u habitur pse ka gjithnjë zëra dhe thashetheme, se rajoni është shpesh në prag të luftës. Dhe nuk është për t’u habitur që thashethemet janë zakonisht të gabuara.
Ato thjesht sigurojnë që të habitemi kur ato të dalin të vërteta. Është vetëm çështje kohe. Dhe ky është një rajon që pret luftë, duke e bërë atë të ketë më shumë gjasa të ndodhë.
PËRSHTATI TIRANA TODAY