Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga posti i zv.kryeministrit Arben Ahmetajn, dhe në vend të tij ka emëruar Belinda Ballukun. Me anë të postimeve në Twitter, kreu i qeverisë shpreh falenderime ndaj Ahmetaj, për kontributin për Rindërtimin. Rama ka larguar nga posti i Kryenegociatorit me BE-në edhe Zef Mazin, duke e zëvendësuar me Majlinda Dhukën. Sipas Ramës, tani që prioriteti i Rindërtimit ia lë vendin prioritetit të negociatave me BE-në, do të ndërrojë edhe profili i ministrave.
Në kuadër të integrimit dhe negociatave me BE-në, Rama bën të ditur se si kryenegociatore është emëruar Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik, në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Zef Mazi. Dhuka po ashtu është emëruar Ministre Shteti për marrëdhëniet me BE-në pranë kryeministrit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është emëruar zv.kryeministre e vendit.
Ja se çfarë shkruan Rama në Twitter
Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.
Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre.
Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit.
Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.
— Edi Rama (@ediramaal) July 25, 2022