Hallet me të cilat përballen çdo ditë qytetarët shqiptarë janë të shumta e nga më të ndryshmet. Por, kur është fjala për shëndetësinë, të gjithë bashkohemi në një mendje: duhet bërë shumë më shumë që të paktën të sëmurët të kenë kushte normale për kurimin e tyre.
Së fundmi në redaksinë e Tirana Today ka mbërritur një denoncim për të njëjtën problematikë. Një qytetare ka treguar tmerrin që i kanë parë sytë për 10 ditë me radhë, teksa kishte të shtruar të atin 81-vjeçar, i cili kurohej për trompozë.
“Përshëndetje. Shikoni spitalin Nënë Tereza, kati i katërt dhe i dyti. Banjat copë-copë, kisha babain shtruar që kurohej nga trompoza, 81 vjeç. WC-të ishin turke, si mund të ulet një plak dhe të ngrihet? Se për ujë të ngrohtë nuk bëhej fjalë fare! Qëndroi 10 ditë shtruar, e shpëlaja me ujë të ftohtë”, shkruan qytetarja.
Më tej, sa i takon shërbimit, ajo kishte mbetur e kënaqur, por sigurisht përveç shërbimit, një rol të madh te shëndeti i pacientëve luan edhe ambienti ku ata qëndrojnë, ku siç duket, mungon tërësisht higjiena. Më tej, e shokuar nga ajo që i kanë parë sytë, zonja kritikon ashpër politikanët, teksa shprehet:
“Shërbimi ishte shumë i mirë. Ky lloj krevati është 60 cm i gjerë dhe nuk rrotullohesh dot. Shkoni tek emergjenca dhe të shifni krevatet e tyre. Ekzistonte vetëm një karrocë për njerëzit që s’lëviznin dot. Duhej të zije radhën ose të ziheshe për atë karrocë.
29 vjet demokraci dhe ne vuajmë për gjërat më minimale. Mjerë moj Shqipëri ku je katandisur! Ndërsa politikanët zihen si qentë për një copë kockë. Turp të kenë!»./ Tirana Today