Zgjedhja e Bajram Begajt si President dhe gadishmëria e Ilir Metës për ta firmosur dekretin e lirimit të tij nga detyra e gjeneralit nga Stamboll, solli një “ftohje” të marrëdhënieve të Metës me Sali Berishën. Përtej kesaj, Sali Berisha ka deklaruar më herët se s’ka një pakënaqësi me Metën. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe Presidenti në përfundim të mandatit, Ilir Meta, do bashkohen për të krijuar front opozitar kundër kryeministrit, Edi Rama. Pak ditë më parë, Berisha u shpreh i sigurt dhe hodhi poshtë krisjen në marrëdhënien e tyre apo ndonjë tradhti të mundshme nga Meta. “Nuk ka diskutim ajo. Është normale nëse kemi diferenca në gjëra të tilla. Asgjë nuk na pengon ne në betejën tonë kundër Edi Ramës. Nuk i druhem asnjë tradhtie nga Meta”, u shpreh Berisha.
Më datë 25 korrik, një ditë pasi të heqë kostumin e Presidentit, Ilir Meta do të kthehet në politikën aktive si opozitar. Në një intervistë për “Open”, në “News 24”, Kreu i Shtetit ka dhënë përgjigje se në cilën anë do të qëndrojë. Meta zbuloi ndër të tjera se e kishte paralajmëruar Berishën që në shkurt të 2021 se do të shpallej “non grata” nga SHBA dhe se, sipas Metës, faktor kryesor ishte ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryeministri Rama. Ai shtoi më tej se Berisha është politikan që ka një kontribut të veçantë në marrëdhëniet me SHBA-në.
Z. Meta, do të jeni në aleancë me Berishën pasi të hiqni kostumin e Presidentit?
Meta: Çdo pyetje pas 24 korrikut, do ta marrë përgjigjen pas 25 korrikut. Nuk mund të fsheh që 25 prilli e përcaktoi detyrën time. Unë jam betuar në Kushtetutë dhe pjesë e betimit është afati 24 korrik dhe kam bërë shumë mirë. Misioni im është në arenën politike. Për të rikthyer demokracinë. Për të gjithë shqetësimet që ju ngritët. Nuk mund të funksionojë Parlamenti kështu. Duhet të rikthejmë llogaridhënien. Shqiptarët nuk dëgjohen. Bëhen këshillime, por u refuzohet referendumi.
Berisha u shpreh i sigurt për bashkëpunimin me ju, ndërsa ju keni një stepje. Ndërkohë që duket se keni një luajalitet me kryeministrin.
Meta: S’kam pasur asnjë luajalitet me kryeministrin, por me Kushtetutën dhe detyrimet e mia. Sepse po të mos e kisha firmosur, ju do thoshit që as këtë s’do ta kishim menduar. Deri në 24 korrik do të jem më i përmbajtur. Është tjetër gjë të thuash që ai është si vera dhe tjetër gjë për bashkëpunim.
Pavarësisht komenteve të përgjithshme, më pëlqen Presidenti që denoncon mazhorancën. Që është i vetmi pushtet i pakapur. Të gjitha pushtetet e tjera i kontrollon mazhoranca. Tani, në fund të mandatit, që i lejohet që të lëshojë retorikën, është më i stepur. Pse kjo stepje z. President?
Meta: Deri në 25 prill kam qenë i detyruar të jem i zëshëm, sepse kishte zero opozitë në institucione. Zero opozitë në pushtetin lokal. Mbas 25 prillit kemi një situatë tjetër. Kemi një krizë ende të opozitës. Një pjesë e madhe e opozitës nuk po ushtrojnë mandatin e opozitarizmit, sepse një pjesë vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë. Por sido që të jetë, kemi një opozitë në Parlament. Kemi një aksion opozitar. Për këto arsye, roli im ka qenë i përmbajtur, por çdo ditë kam folur për problemet që ka vendi.
Vendi ka nevojë për opozitarizëm. Kryetari i PD-së është aktualisht “non grata”. Ju pengon juve ky fakt për të bashkëpunuar me të?
Meta: Nuk dua të hyj në çështje të tilla, për arsye se ajo që mua më shqetëson është që Shqipëria t’u kthehet shqiptarëve. Që shqiptarët janë më amerikanë se amerikanët, kjo dihet.
A mendoni se është një fletërrufe e porositur shpallja e Berishës “non grata”?
Meta: E kam paralajmëruar Berishën që do të shpallej “non grata” në shkurt të 2021-shit dhe pjesë e këtij procesi ka qenë Lulzim Basha. Rama ishte kryesori, por ky ishte më i rrezikshmi, sepse është njeriu i tij. I kam të gjitha informacionet për këto çështje, dhe nuk besoj se është një çështje kaq e rëndësishme sesa bëhet. Berisha është politikan që ka një kontribut të veçantë në marrëdhëniet me SHBA-në që nga vizita e Bejker dhe anëtarësimi në NATO apo vizita e Bush. Problemi kryesor i shqiptarëve është t’u kthehet Shqipëria-shqiptarëve.
Pra, Basha ka qenë aktor në procesin e shpalljes së Berishës “non grata”?
Meta: Bashkëpunimi është shumë më i thellë. Ka qenë shumë vite më parë.
Ju besoi Berisha kur ia thatë këtë?
Meta: Po ia kam çuar mesazhin përmes një kolegu tuaj. Ia kam thënë kolegut tuaj Çim Peka, këtë nuk besoj që ai s’ka qenë korrekt e të mos ia ketë thënë. E kam pasur informacion dhe e kam pasur bindje dhe s’kam pasur asnjë dyshim për atë që ndodhën më pas.
Edhe Basha ka të njëjtën akuzë për ju, se i prishët punë një zgjedhje.
Meta: Pse Meta u tha atyre të ikin nga Parlamenti? Meta u tha të mos futen në zgjedhje bashkiake. Në një garë 100 metra, ti e lë tjetrin të ikin 70 metra para dhe kërkon të fitosh. Edhe sikur atlet i mirë të jesh ti, nuk e zë dot e jo më kur ti fle gjumë. Mazhoranca po keqpërdor një akt që ka ndërmarrë SHBA-ja dhe mazhoranca e përdor për të minuar demokracinë. Ku e ndalon Kushtetuta e Shqipërisë marrjen në konsideratë të një veprimi të tillë. Janë pretekste për të minuar demokracinë.
Keni pasur kërkesë nga ndërkombëtarët për të mos bashkëpunuar me Berishën?
Meta: Nuk kam pasur, as nuk besoj se do të kem, sepse nuk i ndërmarr veprimet e mia politike mbi atë që mendon dikush tjetër. Unë i mendoj vetë dhe kam bindjet e mia. E rëndësishme është që Shqipërinë t’ua kthej shqiptarëve.
Kush e ka kontrollin e shqiptarëve?
Meta: E kanë oligarkët, e kanë patronazhistët. Nuk e ka shumica e shqiptarëve. E ka pakica që shfrytëzon shumicën.
Ju u përpoqët të bënit një digë ndaj mazhorancës, madje bëtë një rezistencë edhe për ndërkombëtarët që i keni quajtur rilindas. Keni të njëjtin qëndrim për ndërkombëtarët?
Meta: Ka qenë deklarata e duhur në momentin e duhur, sepse ishte kulmi i presionit ndaj kushtetueses për shkarkimin e Presidentit. Por të mos harrojmë edhe një fakt, se si në seancën e fundit Kuvendi manipuloi një shkresë dhe futi një provë të re, një urdhër të ish-kryetarit, të ndryshëm me atë që ka bërë. Ka qenë një situatë e tillë dhe mesazhi ishte i qartë dhe në thelb i qëndroj atij mesazhi.
Unë jam President, kam qenë Kryetar Kuvendi e ministër, por kurrë nuk e tradhtoj lëvizjen e dhjetorit. Jo se kam qenë i persekutuar, por kam qenë në lëvizjen e dhjetorit sepse isha i bindur se ishte një regjim që duhej përmbysur. Kam krijuar një bindje të plotë që e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë e thellë është përmbysja demokratike dhe vendi t’i kthehet sovranit përmes referendumeve që besoj se do të vendoset së afërmi. Kur them për një përmbysje demokratike. Këtu kemi një grusht njerëzish që kontrollojnë gjithçka. Sistemi që në një farë mënyre u përmbys, u përmbys me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.
E përjashtoni bashkëpunimin me Ramën pas 25 korrikut?
Meta: Mendoj se është aktori kryesor i nxitjes së ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, të listës së mbyllur dhe të dëmtimit të Presidentit. Të dytët për korrupsion, edhe pak duhet të jemi të parët. Është vetë i përjashtuar në këtë proces, sepse ka zgjedhur cenimin e interesave kombëtare. Qëndrimi sa i takon pandemisë. Qëndrimi për çështjen e varfërisë është jo vetëm qëndrim injorues e përjashtues, ndërkohë interesi është për kontratata koncesionare. Për indeksimin gjoja të humbjeve etj. Ndaj them, ç’lidhje ka Rama me të majtët.
Ka një ndryshim të marrëdhënies me ambasadoren Kim?
Meta: Është një çështje e shpikur për interesa të tjera. Qëndrimet e mia kanë qenë dhe janë shumë të qarta. I kam thënë SHBA-së “po” për një gjë, por i kam thënë edhe “jo”. Për ato që kam thënë, i kam lajmëruar dhe mendoj se kam pasur të drejtë. Kam mbrojtur një kushtetutë që e kemi bërë edhe me Shtetet e Bashkuara. Ka pasur mendime të ndryshme prej përfaqësuesve të ndryshëm, por është çështja e tyre. Dikush është përpjekur që rilindja lokale të lobojë, por qëndrimi im është ai që ka pasur Komisioni i Venecias.
Ka një moment të paqartë tuajin me ndërkombëtarët. Po e thoni si një komplot ndërkombëtar për shpopullimin e Shqipërisë. Qëndrimet s’kanë qenë të ambasadorëve, por të institucioneve ndërkombëtare.
Meta: Kam 30 vite që merrem me ndërkombëtarët. U vu në diskutim dekreti i Presidentit dhe u tha që të bëheshin zgjedhjet lokale në datën që ishte anuluar. Dhe më pas kushtetuesja… ndërkohë që kemi një raport të Glover që bëri të qartë se dekreti nuk u sfidua në asnjë gjykatë dhe dekreti qëndronte. Komisioni i Venecias e tha që s’kishte asnjë lloj shkeljeje. Zgjedhjet bëhen me dekret.
Dakord, do shprehet Gjykata Kushtetuese. Çështja u zvarrit. Çfarë na ndodhi? Kushtetuesja mori vendim që të mos shprehej fare. Të vetmen pyetje të shoqatës së bashkive, nuk ia çuan Komisionit të Venecias. Tani kam një pyetje që të kuptoni rilindjen lokale dhe ndërkombëtare. Si shpjegohet që s’flet asnjë ndërkombëtar për pushtetin lokal? Qëndrimi i tyre ishte që t’ia japim pushtetin lokal Ramës. Të krijojmë një opinion se do të shprehet kushtetuesja dhe kushtetuesja shprehet për të mos u shprehur. Për një pushtet kaq të rëndësishëm që ka shërbime të përditshme, s’ke një këshilltar që të shikojë se çfarë bëhet aty.
Kush e paguan këtë faturë që praktikisht ka sjellë një cenim të demokracisë, të interesit të 3 milionë shqiptarëve. Opozita kishte përgjegjësinë e vet, por zgjedhjet ishin të paligjshme. Kam thënë edhe rilindjen mavi dhe blu. Sepse zotëria që kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve dhe që zgjodhi 13 tetorin, nuk u regjistrua në KQZ. Kemi rilindjen lokale, atë mavi dhe atë ish-kupolën e opozitës.