Pedagogu i Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin ‘Fan Noli’, Alket Dino, është arrestuar pasi ka përfituar shuma monetare në këmbim të dhënies së provimeve për studentët.
Ai jepte mësim në degët filozofi, sociologji dhe administrim politikash sociale.
Ndërkohë, është arrestuar dhe një person tjetër, Xhevi Dervishi, i cili bënte rolin e sekserit mes pedagogut dhe studentëve.
“Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. D., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atyre Humane) dhe Xh. D., 35 vjeç (sekser) të dy banues në Korçë”, informon policia.
Pedagogu së bashku me sekserin sipas policisë janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.