Merkel u kërkon gjermanëve durim dhe respektim të masave kundër Covid-19

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka përshkruar krizën e koronavirusit si përpjekje e madhe për familjet që po përballen me masa izoluese, teksa ka bërë thirrje për durim.

“Ne nuk jemi ende gati që të rihapim çerdhet dhe shkollat”, tha ajo në një video të publikuar të shtunën.

“Por, nëse jemi më konsistent tani që të përmbahemi nga kontaktet dhe të mbajmë distancën, të respektojmë rregullat e higjienës dhe mbajtjes së maskës, kjo (rihapja) do të ndodhë më shpejt”, tha më tej kancearja.

Pavarësisht se tha që po bëjnë gjithçka për të rihapur çerdhet dhe shkollat, kancelarja Merkel paralajmëroi kundër “rrezikut të mutacioneve shumë ngjitëse të virusit”, shkruan DPA.

Sipas të dhënave të Institutit Robert Koch, të shtunën u raportuan 12,321 raste të reja me koronavirus.

Gjermania aktualisht është duke zbatuar masën e izolimit, ku janë mbyllur kafiteritë e restorantet, shumë dyqane dhe institucionet e sistemit arsimor. Këto masa pritet të jenë në fuqi deri në mesin e muajit shkurt.