Në fjalën e fundit mbajtur në selinë e PD-së, kryedemokrati Basha tha edhe një herë tjeter se nuk do të hedhin asnjë hap pas. Ai paralajmëroi se koha për fjalët po mbaron, dhe se populli është më i bashkuar se kurrë.
Në protestën e shtatë kombëtare të opozitës së bashkuar, kryedemokrati tha se në protestën e ardhshme, fjalën do ta ketë vetëm sovrani, pasi ky pushtet është marrë me dhunën e krimit.
Para mbështetësve, kreu i PD-së paralajmëroi kryeministrin Rama dhe ministrin Lleshaj, se do të mbajnë përgjegjësi para ligjit, pasi sipas tij, nuk mund ti faturojnë dhunën.
“Po i them sot Ramës dhe Lleshajt se do mbani përgjegjësi para ligjit, asgjë nuk harrohet dhe fshihet. Përpjekja juaj tinzare për t’i faturuar dhunë protestës, do të marrë përgjigje”, u shpreh Basha.
“Fjalen do ta ketë vetëm sovrani. E gjithë bota e di që ky është një pushtet i marrë nga dhuna e krimit. Ne nuk pranojmë pushtet të marrë me dhunë, harrojeni se do ta mbani pushtetin me dhunë, kthejani sovranit atë që i keni marrë, hapini rrugë zgjedhjeve të lira si e vetmja zgjidhje”, deklaroi kreu i PD.
“Dua t’ju përsëris zotimin tim: nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do të pranojmë asgjë më pak se Europa”.