E premte, 26 Shkurt, 2021
10 C
Tirana

Mbështetësit e Navalnit, vazhdojnë sfidën ndaj regjimit të Vladimir Putinit

Nga: Pjotr ​​Sauer “The Moscow Times”

Për të dytën fundjavë radhazi, dhjetëra mijëra rusë iu bashkuan të dielën protestave që u mbajtën në gjithë vendin në mbështetje të aktivistit të burgosur të opozitës Aleksei Navalni, megjithëse ishte një javë represioni dhe kërcënimesh për arrestime masive nga ana e regjimit të Vladimir Putinit.

Navalni u ndalua në mesin e muajit janar kur u kthye nga Gjermania, ku ai ishte duke u kuruar pas një atentati me një agjent nervor për të cilin ai fajëson direkt Kremlinin. Pavarësisht thirrjeve nga qeveritë perëndimore për lirimin e tij, ai përballet me rrezikun e dënimit me disa vite burg për një mori akuzash penale, të cilat ai i cilëson të manipuluara.

Në Moskë, autoritetet ndërmorën hapin e pashembullt të mbylljes së qendrës së qytetit dhe stacioneve të metrosë, ndërsa qindra policë dhunuan protestuesit.

“Unë erdha këtu pasi dua t’i jap fund këtij regjimi të paligjshëm. Ne nuk mund të vazhdojmë shumë gjatë në këtë mënyrë”- tha Mikail Zubnicki, një specialist 43-vjeçar i IT. Në fillim aleatët e Navalnit, u bënë thirrje mbështetësve që të mblidheshin në Sheshin Ljubanka në qendër të Moskës, pikërisht përpara selisë së Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

Por mëngjesin e së dielës qendra e kryeqytetit ishte blinduar nga policia, dhe kjo i detyroi organizatorët t`a zhvendosnin disa herë vendndodhjen e protestës. Tre orë pas fillimit të protestës, një turmë e madhe arriti në burgun famëkeq Matrosskaya Tishina (Heshtja e Marinarit), ku mbahet i burgosur Navalni për shkeljet e pretenduara të lirimit me kusht.

Autoritetet thanë se në protestën e Moskës ishin mbledhur rreth 2.000 njerëz, e cila u mbajt pas një jave goditje intensive ndaj aleatëve kryesorë të Navalnit. Këtu përfshihen arrestimet e ndihmësit të tij kryesor Ljubov Sobol dhe vëllait të tij Oleg Navalni, si dhe paralajmërime të forta për moskovitët që planifikonin të merrnin pjesë në protestë.

Sidoqoftë, OVD-Info, një organizatë e pavarur që monitoron arrestimet, tha se vetëm në Në Moskë u arrestuan mbi 1.000 njerëz, ndërsa në gjithë vendin mbi 4.000, përfshirë 800 në Shën Petersburg. Media lokale e pavarur, raportoi për 5-6 mijë protestues në qytetin e tretë rus Novosibirsk, dhe mbi 7 mijë në qytetin e katërt rus Jekaterinburg, që të dyja pak më të mëdha sesa javën e kaluar.

Ndërsa shumica e vendit ishte ende në gjumë, video dhe fotot e botuara nga selia lokale e fondacionit të Navalnit, tregonin rusët në kryeqendrën e Lindjes së Largët, Vladivostok, që anashkaluan qendrën e qytetit të rrethuar nga policia dhe marshuan mbi sipërfaqen e ngrirë të Gjirit Amur, duke brohoritur “Rusia ime është ne burg!” dhe duke shkruar mbi dëborë“Putini është një hajdut!”.

Sipas një korrespondenti të MT në vendin e ngjarjes,në qytetin e Jekaterinburgut në Urale, një turmë e madhe marshoi në rrugë, teksa grupet më të vogla që i ikën policisë vrapuan përtej lumit të ngrirë që ndan në mes qytetin.

Diku tjetër, policia përdori taktikat e ashpra dhe dhunën për të shpërndarë protestat. Në qytetin siberian Krasnojarsk, një foto e shpërndarë gjerësisht në mediat sociale tregoi sesi një grup policësh rrethuan një grup të vogël protestuesish.

Në Kazan, pamjet video të shpërndara nga lëvizja pro-demokracisë “Rusia e Hapur”, treguan policinë që i detyronte protestuesit të shtriheshin me fytyrë mbi dëborë. Në Çeljabinsk, MBKh Media postoi në Twitter një video ku shihej policia që kishte përplasur përtokë një protestues, ndërsa ai thoshte“Nuk po marr dot frymë!”.

Lexo edhe :   Burgosja e Navalny/ BE bie dakord për sanksione të reja kundër Rusisë

Në Shën Petersburg, media të shumta filmuan policinë duke rrahur brutalisht protestuesit, dhe raportuan se forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe shkopinj me elektroshok. Në një video të postuar nga faqja lokale e lajmeve Fontanka.ru, një oficer policie u pa duke  i drejtuar armën e tij të shërbimit protestuesve.

“Unë isha këtu javën e kaluar, jam këtu edhe sot dhe do të jem këtu çdo ditë derisa Navalni dhe të tjerët të lirohen. Kjo është detyra ime”-deklaroi Igor, një inxhinier  34-vjeçar, që mori pjesë në protestën e Shën Petersburgut. Navalni ka kërkuar që të ruhet vala e protestave, pasi të shtunën e kaluar u zhvilluan protestat më të mëdha të paautorizuara nga Moska në gati një dekadë.

Lexo edhe :   Burgosja e Navalny/ BE bie dakord për sanksione të reja kundër Rusisë

Gjatë seancës gjyqësore të enjten e shkuar, ai foli përmes një lidhje video nga Matrosskaya Tishina, dhe i cilësoi pjesëmarrësit në në protesta si “patriotët e vërtetë të Rusisë”, dhe një fron që e ndalon Rusinë të“rrëshqasë drejt degradimit të plotë”.

Menjëherë pas fjalës së tij, gjykata e refuzoi apelimin e Navalnit kundër ndalimit të tij 30-ditor, përpara seancës që do të mbahet këtë javë dhe ku do të vendoset mbi fatin e tij,ai do të përballet për një akuzë të vjetër për mashtrim. Një video që Navalni publikoi në Youtube​​ pas ndalimit të tij, dhe ku pretendohet se presidenti Vladimir Putin është pronari i një pallati luksoz në bregun e Detit të Zi, arriti në 100 milion shikime brenda pak ditësh.

“Edhe nëse 2 për qind e atyre që e panë videon do të dalin në rrugë, kjo do të jetë e mjaftueshme për të trembur autoritetet”- shkroi Navalni në një postim në Instagram.

Pas tubimeve të 23 janarit në Moskë dhe në disa qytete të tjera, policia hapi mbi 20 çështje penale kundër individëve të akuzuar për trazira, dhunë kundër policisë, bllokim rrugësh dhe shkelje të rregullave të shëndetit publik në lidhje me Covid-19.

Sipas Gjykatës së qytetit të Moskës, 154 persona u vendosën në arrest administrativ. Padi janë ngritur kundër 173 prindërve, fëmijët e të cilëve dyshohet se morën pjesë në protestat e javës së kaluar. “E gjithë kjo tregon se Putini dhe miqtë e tij kanë frikë nga ne. Arrestimet vetëm sa më zemëruan dhe më bënë më të vendosur për të dalë në protestë”-thotë Jelena, 53-vjeçe, e cila punon si psikologe në Moskë.

Të tjerët, si Danil, 21 vjeç, student në një nga universitetet kryesore të Moskës që mori pjesë në tubimet e javës së kaluar, por që dje vendosi të qëndronte në shtëpi, tha për “The Moscow Times” se veprimet e autoriteteve e kanë bërë atë të ndryshojë mendim.“Në këtë pikë, unë mendoj se po rrezikoj shumë, pa pasur një synim të qartë të asaj që është e arritshme. Unë rrezikoj të përjashtohem nga universiteti”- thotë ai.

Burimi i lajmit: https://www.themoscowtimes.com/2021/01/31/navalny-supporters-defy-crackdown-to-protest-across-russia-a72786

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Bardhi kallëzon Ballën në SPAK: Vartësit e tij kërcënojnë qytetarët për votën

Drejtuesi politik i PD në Elbasan, Gazment Bardhi, ka kallëzuar penalisht në SPAK rivalin e tij në këtë qark, Taulant Ballën. Gjatë intervistës në emisionin...

UNICEF sjell në Kosovë shiringa për vaksinën kundër Covid-19

Shefi i zyrës së UNICEF-it (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë) në Kosovë, Murat Sahin përmes një postimi në llogarinë e tij në...

Kush do i fitojë zgjedhjet e 25 prillit? Del sondazhi i IPSOS

Top Channel në bashkëpunim me gjigantin botëror të sondazheve, kompaninë IPSOS, publikon të dhënat e sondazhit për zgjedhjet e 25 Prillit në emisionin “Open”...

Studimi i ri: Ja çfarë ndikimi ka mbajtja e maskës në rrahjet e zemrës

Studiuesit në Spitalet Universitare Rainboë Babies & Children (UH Rainbow), botuan të mërkurën të dhënat e një studimit të ri, që tregon se mbajtja...

Çfarë fshihet pas dorëheqjes së Bamir Topit nga FRD? Bardhi zbardh detaje

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, njëherazi drejtues politik në Qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, komentoi mbrëmjen e sotme largimin e Bamir Topit nga...