Më 15 tetor 1917, Margareta Zele, e njohur më shumë si Mata Hari, u dënua me vdekje në Francë, me akuzën e spiunazhit. Një shekull më vonë, emri i saj ngjall ende debate midis historianëve dhe studiuesve. Megjithatë, ish-kërcimtarja e famshme nuk ishte qenë kurrë një spiune e nivelit të lartë, sikurse cilësohej rëndom.
Një ditë pasi Mata Hari u ekzekutua nga skuadra e pushkatimit, vdekja e saj bëri bujë në median franceze. “Fundi i një spiuneje. Mata Hari, është ekzekutuar nga skuadra e pushkatimit. Dje balerina hindu, pagoi për tradhtinë e urryer kundër Francës, dhe për të cilën ajo ishte fajtore”- lexohej në faqen e parë të “Le Matin”.
Ose siç shkruante “Le Petit Journal”, “Mata Hari e pagoi me jetën e saj tradhtinë që kreu ndaj Francës, vendi që dikur e mirëpriti me aq ngrohtësi”. Por vetëm disa vjet para vdekjes së saj, Mata Hari, lavdërohej nga i gjithë Parisi. E lindur në Holandë në vitin 1876 si Margareta Zele, ajo u bë e famshme në fillim të shekullit XX-të duke kërcyer në sallone të ndryshme private, dhe më pas në Muzeun Kombëtar të Francës për Artin Aziatik.
Atje, ajo entuziazmoi një publik që ishte zakonisht konservator mbi traditat e vallëzimit. Stilet e reja orientale të kërcimit, Mata Hari i kishte mësuar gjatë kohës së kaluar në Indinë Lindore të Holandës me ish-burrin e saj, një oficer i marinës holandeze. Kësisoj, ajo shpiku një të kaluar hindu për veten, dhe shpiku edhe vallet “tradicionale”.
Gjithsesi ky truk funksionoi, dhe shumë shpejt Mata Hari ishte një ndër balerinat më të kërkuara. “Ato kohëra ishin të lavdishme për të. Mata Hari gjeti një mënyrë për të pasur një jetë komode, të financuar nga njerëz të pasur, kryesisht bankierë”- thotë historiani Frederik Gelto, që ka shkruar shpesh mbi Mata Harin.
Por me kalimin e viteve, edhe tendencat ndryshuan. Shijet popullore, u zhvendosën nga shfaqjet ekzotike, tek ato më klasike sikurse ishte baleti rus. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Mata Hari ishte mbi 30-vjeçe, dhe nuk tërhiqte më turmat që i duheshin, për të ruajtur stilin e saj luksoz të jetesës.
Ajo u rikthye në vendin e saj të lindjes. Në Amsterdam në vitin 1916, konsulli gjerman i ofroi para në këmbim të mbledhjes së informacioneve. Ajo u bë Agjentja H21. Në atë kohë, Mata Hari imagjinonte se do të spiunonte duke manipuluar burrat, siç kishte bërë përpara luftës.
“Mata Hari nuk kishte ndonjë bindje politike ose ideologjike. Bindja e saj e vetme, ishte pasja e një jete luksoze”-thotë Gelto. Pasi u rikthye në Paris, Mata Hari, rinisi mënyrën e saj të jetës së paraluftës. Ajo zuri një dhomë në Grand Hotel, dhe ra në dashuri me një oficer të ri rus.
Pasi u plagos në ballë, ai u dërgua në një zonë ushtarake në qytezën Vitel, e famshme për ujërat termale. Ish-balerina, e dëshpëruar për ta parë, kërkoi një leje kalimi nga Zhorzh Laduks, një kapiten francez që ishte gjithashtu oficer i kundër-spiunazhit.
Ai e pranoi kërkesën e saj, me kushtin që ajo të punonte edhe për Francën. Kështu Mata Hari, u bë një agjente e dyfishtë. “Tek e fundit, ajo nuk arriti të mbledhë asnjëherë ndonjë informacion sekret për llogari të secilës palë. Kur gjermanët kuptuan se nuk mund të merrnin asgjë interesante prej saj, dhe që francezët po e përdornin për interesat e tyre, vendosën që ta shisnin tek armiku”- vëren Guelto.
Sipas tij, gjermanët përmendnin qëllimisht hapur “Agjentin H21” në mesazhet që ata e dinin se përgjoheshin nga kundër-spiunazhi francez. Ata synonin që inteligjenca franceze të zbulonte, që Mata Hari ishte një agjente e dyfishtë. Kurthi funksionoi, dhe më 13 shkurt 1917, ajo u arrestua në Paris.
Disa muaj më vonë, Mata Hari u dënua me vdekje për spiunazh për llogari të armikut gjatë kohës së luftës. Sidoqoftë, siç dëshmoi më vonë Andre Morne, zv/prokurori i gjyqit ndaj Mata Harit, akuza kundër saj për spiunazh “as që ia vlente të përmendej”.
Edhe Guelto ndan këtë mendim:”Kishte prova të mjaftueshme për ta dënuar me burg, pasi ajo ishte rekrutuar nga gjermanët, por nuk e meritonte të ekzekutohej me vdekje”. Për historianin, fundi i Mata Harit i shërbeu qëllimeve të propagandës së luftës që bënte shteti francez.
“Viti 1917 ishte i tmerrshëm. Qeveria duhej të tregonte se përkundër ofensivës gjermane, Revolucionit Rus dhe të humburve në betejë, Franca do të rezistone deri në fitoren e saj. Me ekzekutimin e kësaj gruaje, qeveria tregoi se ishte e gatshme të bënte gjithçka”.
Propaganda rreth Mata Harit ishte efektive. Në shumë filma që u realizuan mbi të, dhe në imagjinatën popullore edhe sot e kësaj dite, ajo ka mbetur si një spiune e përsosur në shërbim të Gjermanisë. Edhe pse realiteti është krejtësisht tjetër nga miti Mata Hari, Guelto e admiron jo pak rrugën e ndjekur nga gruaja e famshme, që u kthye në një agjente të dyfishtë.
“Ajo ishte një grua me kurajo gjatë gjithë jetës së saj. Nuk kishte ndonjë plan të caktuar për të bërë karriere, por çdo herë ia doli të kishte sukses. Dhe e tregoi guximin që kishte deri në momentin e ekzekutimit me vdekje”- thotë ai. Ndërkohë Leon Bizar, eksperti mjeko-ligjor, dëshmoi në vitin 1925, mbi çastet e fundit të balerinës së famshme:
“Kur një oficer lexoi edhe njëherë vendimin e gjykatës, balerina, që nuk pranoi t’i lidheshin sytë, doli vetë para togës së pushkatimit. Mata Hari i buzëqeshi së motrës Leonida, që ishte gjunjëzuar dhe bëri drejt saj një gjest lamtumire. Komandanti i togës dha urdhër:një zhurmë e fortë të shtënash, dhe balerina u shemb përtokë si një masë inerte që kullonte gjak”./ TIRANA TODAY