Nga Agron Alibali/ Mospërputhja: Shqipëria e ka detin territorial 12 milje detare, ndërsa Greqia e ka 6 milje detare. Negociatat janë jo normale se zhvillohen kur është në fuqi një ligj lufte ndaj Shqipërisë.
Rreth 70 vjet më parë, me 22 tetor 1948, në ujërat e kaltërta të Kanalit të Korfuzit ndodhi një ngjarje e rëndë, e cila u zgjidh në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Çështjen tashmë të famshme të Kanalit të Korfuzit. Sot duket se ujërat e kaltërta të Jonit Verior do të mund të vijnë sërish në vëmendje ndërkombëtare, kësaj rradhe për të përcaktuar vijën kufitare që ndan hapësirat ujore midis Shqipërisë dhe Greqisë. Me të vërtetë, nga zhvillimet më të fundit për delimitimin në Detin Jon po bëhet gjithnjë e më e qartë se rruga e vetme për përcaktimin e drejtë, objektiv dhe të paanshëm të kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë do të jetë një forum gjyqësor ndërkombëtar.
Rrethanat e mospajtimit
Në një trajtesë të parë për Jonin, si det të paqes, ngritëm disa probleme të delimitimit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë si më poshtë:
Negociatat duan kohën e tyre – ngutja nuk ndihmon askend;
Traktati i Konstantinopojës i vitit 1800, që përmend në mënyrë eksplicite “kufinj detarë të lashtë”, nuk mund të anashkalohet në kontekstin e Korfuzit dhe të Ishujve të Diapontit;
Diskordanca, apo mospërputhja midis gjerësive të Detit Territorial përkatës të dy vendeve është çështja më delikate në tavolinën e bisedimeve. Shqipëria zbaton brezin prej 12 miljesh detare (md), kurse Greqia zbaton brezin prej 6 md;
Efekti “ndërprerës” [cut-off effect] i ishullit të Korfuzit etj., ndaj projeksionit detar të bregdetit shqiptar;
Mbështetur në parimin themelor dhe të patundur se “dheu kontinental sundon detin”, prirja e përgithshme në të drejtën ndërkombëtare detare sot është se “dheu kontinental merr përparësi ndaj dheut ishullor sa u takon projeksioneve të hapësirave përkatëse detare”. Sikurse shpjeguam, kjo prirje mbështet të drejta (entitlements) të Shqipërisë lidhur me hapësirën e Zonës Ekonomike Ekskluzive [ZEE] në shpinë të Korfuzit, por është relevante edhe në trajtimin e hapësirës së detit territorial dhe shelfit kontinental midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Diapontit, në pikëpamje të zbatimit të “rrethanave të posaçme” apo të “equity” [ekitésë], si dhe të efektit që këta ishuj mund të marrin (efekt i plotë, i pjesshëm, apo zero) vis-a-vis dheut kontinental shqiptar.
Së fundi, i gjithë kuadri juridik i demarkim/delimitimit në Jonin Verior komplikohet me pa të drejtë nga ekzistenca e Ligjit të Gjendjes së Luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Duke pranuar, pa ngurrim, karakterin absurd të këtij Ligji, pyetja kokëfortë mbetet nëse vërtetë mund të ndërmerren negociata të barabarta, të ndershme dhe në mirëbesim midis dy vendeve kur mbi tryezën e bisedimeve endet spektri i luftës midis tyre?
Deklarime të fundit nga pala greke, si dhe njoftime të shtypit lidhur me zgjerimin e brezit të Detit Territorial në12 md, risjellin në vëmendje mospërputhjen midis detrave territorialë të të dy vendeve, dhe pra, lypin një tajtim dhe analizë më të zgjeruar të këtij dallimi sa të pazakontë, aq edhe të koklavitur. Qëllimi, gjithsesi, mbetet i njëjtë: Deti Jon të mbetet det i paqes, dhe që kjo të njëmendësohet, huazojmë sërish metaforën e poetit të famshëm amerikan Robert Frost: Gardhi i mirë, fqinji i mirë – [Good fences make good neighbors].
Thelbi i mospajtimit apo mosmarrëveshjes
Në thelb, pyetja që shtrohet është:
Si duhet të jetë vija delimituese midis Shqipërisë dhe Greqisë në rrethanat e posaçme, të koklavitura e të pashembullta të Detit Jon, dhe duke mbajtur parasysh praktikën e konsoliduar shtetërore e të njohur ndërkombëtarisht të Detit Territorial me brez prej 12 md sa i takon Shqipërisë, dhe 6 md, sa i takon Greqisë?
Ritheksojmë se kjo vijë e kufirit të Detit Territorial, ku Shqipëria dhe Greqia ushtrojnë sovranitet të plotë, do të përbente edhe kufirin shtetëror Shqipëri – Greqi në pjesën veriore të Detit Jon. Pêr ta ndihmuar analizën tonë, le të mbajmë parasysh edhe këto dy fakte të njohura lidhur me marrëveshjen e anulluar të delimitimit.
Së pari, siç dihet, delimitimi aty ishte ravijëzuar në kahjen Jugë-Veri, dhe niste nga Gjiri i Ftelias në Jugë dhe përfundonte në Veri, afër pikës tripalëshe Itali-Shqipëri-Greqi, të baraslarguar nga pika më e afërt e tri brigjeve përkatëse.
Së dyti, metodologjia bazë e përdorur në marrëveshjen e anulluar ishte barazlargësia e rreptë (strict equidistance), e rrëzuar me të drejtë nga Gjykata Kushtetuese.
Sikurse do ta shohim më poshtë, në qoftë se delimitimi – për lehtësi të arsyetimit -do të kryhej në kahjen e kundërt, d.m.th. Veri – Jugë, dhe nëse metodologjia e zbatuar do të mbante parasysh praktikën e konsoliduar shtetërore përkatëse, atëhere vija delimituese rezultante do të ishte krejt ndryshe nga ajo që mendohet se po negociohet sot. Krahasuar me rezultatet e delimitimit të tanishëm, të përcjella nga mediat, ushtrimi delimitues në kahjen Veri-Jugë do të nxirrte në pah se Shqipëria humbet hapësirë të konsiderueshme të Detit të vet Territorial.
Gjerësia e Detit Territorial shqiptar e kundruar nga Veriu
Pra, si do të ishte kufiri detar Shqipëri-Greqi i vijëzuar në kahjen Veri-Jugë, përndryshe i kundruar në dalje nga ngushtica e Otrantos, dhe jo nê nisje nga Gjiri i Ftelias?
Ilustrimi 1: Pamje satelitore në kahjen veri-jugë të Kanalit të Otrantos dhe Detit Jon. Burimi, www.google.earth, tetor 2018.
Dihet se, gjatë gjithë hapësirës detare në Adriatik nga një pikë (ende) e papërcaktuar midis grykëderdhjes së Bunës dhe Gjirit të Drinit, e deri në pikën trepalëshe, ose treshtaz të barazlarguar (nga Italia, Greqia dhe Shqipëria), në Jugë të Kanalit të Otrantos, Deti Territorial shqiptar përbëhet nga rripi ujor, apo brezi i konsoliduar e i patrazuar detar me gjerësi 12 md nga vijat bazë, të përcaktuar me Dekretin 4650, prill 1970, sipas së drejtës së brendshme shqiptare.
E thënë ndryshe, Deti Territorial shqiptar del nga Ngushtica e Otrantos për në Detin Jon si brez ujor integral, i patrazuar e i konsoliduar, me gjerësinë prej 12 md, duke lënë pas, në të djathtë, Kepin Palasciá ose Kepin e Otrantos në Gadishullin Apenin dhe, në të majtë, Kepin e Gjuhëzës dhe Bregun e Dhërmiut më në jugë.
Ndërkohë që kjo vijë kufitare detare vijon “lundrimin” drejt Jugut gjithnjë duke ruajtur distancën prej 12 miljesh nga vija e zbaticës prej bregdeti shqiptar, para saj shfaqen këto faktorë gjeografikë, që fillojnë të ushtrojnë ndikim:
(i) pika trepalëshe (tri-junction point), si pikë e barazlarguar nga pikat bazë më të afërta të bregut kontinental italian, kontinental shqiptar dhe atij ishullor grek. Kjo pikë është 7 md larg në verilindje nga pika 1 e Marrrëveshjes së Delimitimit të Shelfit Kontintental Itali – Greqi, [me koordinata 39°57′.7 gjerësi veriore, dhe 18°57′.5 gjatësi lindore];
(ii) kepi verior i Akra Bokas në ishullit grek të Othonoit dhe kepi verior i Akra Skoetinit në ishullin e Erikusës;
(iii) Kepi i Santa Maria di Leuccas në Gadishullin Apenin, më në Jugperëndim;
(iii) Hyrja apo kalimi verior në Kanalin e Korfuzit.
Ilustrim 2: Hartë e Marrëveshjes së Delimitimit të Shelfit Kontinental Greqi-Itali. Burimi, Limits in the Sea, Nr. 96, Continental Shelf Boundary, Greece-Italy. U.S. Department of State, Bureau of Intelligene and Research, June 6, 1982.
Po ashtu, brezi i Detit Territorial shqiptar prej 12 md përballet edhe me këta faktorë juridike në të drejtën ndërkombëtare të detit:
(i) Deti Territorial grek, me gjerësi prej 6 md;
(ii) Deti Territorial italian, me gjerësi 12 md, sikundër Shqipëria, në Jugperëndim;
(iii) “Mesi i Kanalit”, si vijë ndarëse që fillon aty ku Kanali i Korfuzit fillon e ngushtohet nën distancën 6 md x 2 = 12 md;
(iv) vijat bazë të brigjeve të kundërta përkatëse, deri në gjerësinë gjeografike që sjell në vëmendje Gjirin e Ftelias;
(v) Neni 15 i Konventës UNCLOS, dhe parim i barazlargësisë dhe i “equity”;
(vi) Praktika e konsoliduar shtetërore e gjerësive përkatëse të Detit Territorial.
Por ç’do do të ndodhë më tej në hapësirën ujore të ngjashme me figurën gjeometrike katërkëndore të trapezit të përmbysur, me bazë 24 md në Veri dhe 12 md në jugë, dhe me brinjë përkatësisht Bregun shqiptar dhe vijat bazë në Ishullin e Korfuzit dhe Ishujt e Diapontit?
Vija kufitare detare e Shqipërisë [brezi 12 md] normalisht do të vijojë e patrazuar deri sa të puqet me vijën kufitare aktuale greke [brezi 6 md]. Në atë pikë distanca midis dy brigjeve të kundërta do të jetë 18 md [6md + 12 md]. Deri në këtë pikë, pra, Shqipëria ruan gjerësinë e Detit të vet Territorial prej 12 md, dhe Greqia ruan gjerësinë e Detit të vet Territorial prej 6 md. Mosndikimin e parimit të barazlargësisë do ta trajtojmë më poshtë.
Si rrjedhojë e ngushtimit të hapësirës ujore të detyruar nga Kanali i Korfuzit, Greqia ruan gjerësinë e Detit të vet Territorial prej 6 md deri sa distanca midis dy brigjeve arrin në masën e 12 md [6 md + 6 md]. Shqipëria detyrohet të rrudhë gradualisht gjerësinë e brezit të vet të Detit Territorial nga 12 md në 6 md deri në pikën ku, sikurse përmendëm, distanca midis pikave bazë nga dy brigjet e kundërta është 12 md.
Qysh nga kjo pikë e deri në pikën fundore të delimitimit përballë Gjirit të Ftelias, gjithnjë në kahjen V-J, hyn në veprim parimi i barazlargësisë, me përshtatjet përkatëse sipas “rrethanave të posaçme” të Nenit 15 të UNCLOS.
Besojmë se ky duhet të jetë qëndrimi i Shqipërisë sa i takon Detit Territorial.
Ilustrimi 3: Pamje satelitore e hapësirëse tërësore detare në Detin Jon verior. Burimi, www.google.earth, tetor 2018.
Kuptohet se nëse nuk zbatohet ky model delimitimi, krahasuar me atë çka përmendet se është negociuar, Shqipëria del me humbje të konsiderueshme të hapësirës së vet të Detit Territorial.[5]
Përplasja e pashmangshme midis parimit të barazlargësisë dhe “rrethanave të veçanta”
Ka tash 48 vjet që Shqipëria ka deklaruar botërisht dhe zbaton rregullisht brezin prej 12 md të Detit Territorial. Dekreti Nr. 4650, i dt. 9.3.1970 hyri në fuqi në prill 1970, dhe paradaton Konventën UNCLOS, që hyri në fuqi me 16 nëntor 1994.[6]
Pyetja e parë që shtrohet është se, në rastin kur praktika e konsoliduar ndërshtetërore dhe parimi i “equity”, përplasen me parimin e barazlargësisë, cila prej tyre mbizotëron?
Dhe e dyta, midis dy pretendimeve të kundërta dhe konkurruese për të njëjtën hapësirë detare, të paraqitura dhe të ushtruara në kohë të ndryshme, a nuk ka epërsi më i hershmi?
Ndërsa për pyetjen e dytë përgjigja parashihet të jetë pozitive, rëndësi thelbësore në analizën tonë ka Neni 15 i Konventës së Detit (UNCLOS). Shpreh ai:
“Në rastin kur brigjet e dy Shteteve janë të kundërta ose të përngjitura, asnjë shtet nuk ka të drejtë, përveç se kur janë marrë vesh ndryshe, të shtrijë detin e vet territorial përtej vijës mesore, secila pikë e së cilës është e barazlarguar nga pikat më të afërta në vijat bazë prej nga matet gjerësia e Detit Territorial të secilit nga të dy Shtetet.”
Në rastin tonë, merr rëndësi të veçantë dispozita vijuese e Nenit, pikërisht ajo që lidhet me “titullin historik” dhe me “equity” [ekiténë]. Thuhet aty:
“Megjithatë, Neni i mësipërm nuk zbatohet kur, për arsye të titullit historik ose të rrethanave të tjera të veçanta është e domosdoshme që detrat territorialë të të dy shteteve të delimitohen në një mënyrë të ndryshme nga e mësipërmja”.
Në rastin tonë, a mundet Shqipëria që të pretendojë si rrethanë të veçantë edhe “titullin historik” në brezin e vet të Detit Territorial në Jonin Verior? Doktrina përkatëse përcakton se vendi pretendues ka barrën e provës për të mbështetur pretendimin e vet për titull historik.
Sipas një opinioni autoritar juridik, për të mbështetur “titullin historik” Shqipëria duhet të vërtetojë dy elementë:
1) Ushtrim të hapur, të njohur, të vazhdueshëm dhe efektiv të autoritetit të vet përmbi hapësirën ujore në fjalë;
2) Pranimi në heshtje nga shtetet e huaja të ushtrimit të atij autoriteti.
Nga pikëpamja kohore, Shqipëria e ka shpallur brezin e vet të Detit Territorial prej 12 miljesh të paktën qysh në vitin 1970, përmes Dekretit Nr. 4650, të prillit 1970, i cili përcaktonte shtrirjen e kufirit të Detit Territorial në brezin 12 milje “duke filluar nga vija e drejtë bazë” e përcjellë aty.[10] Fryma dhe germa e Dekretit Nr. 4650 u rikonfirmua më tej me Ligjin Nr. 8771, datë 19.4.2001 Për Kufirin Shtetëror të Republikës së Shqipêrisë, si dhe Ligjin Nr. 60/2012.
Ilustrim 4: Hartë e Detit Territorial të Republikës së Shqipërisë [shkalla nuk jepet]. Burimi: A. Meçollari, UNCLOS 1982 dhe vija bazë e RSH, QKSM, Tiranë, 2014, f. 27.
Greqia, nga ana e vet, ka zbatuar dhe zbaton [qysh nga viti 1936] brezin e Detit Territorial prej 6 md. Me të vërtetë, legjislacioni përkatës grek për detin territorial mbështetet tek dy burime kryesore:
Dekreti Presidencial Nr. 6/18 i shtatorit 1931 për përkufizimin e shtrirjes së ujrave territoriale sa i takon hapësirës ajrore dhe kontrollit të saj, ku përcaktohet kufiri prej 10 miljes detare, dhe
Ligji Nr. 230/1936, i cili përcakton gjerësinë e detit territorial grek në masën 6 milje detare (pa cënuar vlefshmërinë e Dekretit Presidencial 6/18).[12]
Por le të rikthehemi tek ligji shqiptar. Neni relevant 3 i Ligjit Nr. 8771, datë 19.04.2001 shënon:
Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit.
Këto dy breza divergues në hapësirë dhe në kohë kanë bashkëjetuar për një kohë të gjatë dhe, pra, i paraprijnë hyrjes në fuqi të Konventës UNCLOS. Meqenëse Deti Territorial shqiptar (12 md) dhe Deti Territorial grek (6 md) njihen botërisht si të tillë, atëhere përmbushet pjesërisht kushti i parë i kërkesës së “titullit historik”, për “ushtrim të hapur, të njohur e të vazhdueshëm” të hapësirës ujore përkatëse. Nënkushti tjetër i “ushtrimit efektiv” duhet verifikuar nga praktikat e lundrimit. Nëse vërehet mungesë në praktikë e “ushtrimit efektiv”, kjo fare mirë mund të justifikohet nga ekzistenca de jure e Ligjit të Gjendjes së Luftës. Kuptohet se të paktën derisa Shqipëria u anëtarësua në NATO, Flota Ushtarake Detare e Shqipërisë do ta ketë patur teorikisht dhe praktikisht të vështirë ushtrimin e sovranitetit si Det Territorial shqiptar deri në kufirin e jashtëm prej 6 md të Detit Territorial grek.
Provë e rëndësishme e praktikës, apo zakonit ndërkombëtar, do të ishte hulumtimi dhe studimi i kursit të lundrimit të luftanijeve amerikane gjatë operacioneve të tyre të mirënjohura të Lirisë së Lundrimit, të ushtruara në afërsi të bregdetit shqiptar për të kundërshtuar brezin e Detit Territorial prej 15 md të imponuar me Dekret nga Shqipëria në vitet 1976 – 1990.
Nga pikëpamja operacionale, këto ishin inkursione të një grupi apo skuadre luftanijesh amerikane, përgjithësisht të nisura nga Kanali i Korfuzit dhe me kurs lundrimi me kahje veriore në brezin midis 12 – 15 md nga bregdeti shqiptar, pa cenuar brezin prej 12 md. Qeveria amerikane protestoi zyrtarisht me 1989 dhe kreu operacione të afirmimit të lundrimit të lirë në vitet 1984, 1985 dhe 1986.[13] Mesazhi ishte i qartë: SHBA-ja njihte Detin Territorial shqiptar me gjerësi 12 md, por jo atë të zgjeruar në 15 md.
Kursi i lundrimit me siguri është i gjindshëm në arkivat ushtarake amerikane apo shqiptare. Përcaktimi i tij do të ishte i vlefshëm në analizën tonë.
Argument tjetër i rëndësishëm në favor të tezës sonë është edhe fakti se Marrëveshja për Delimitimin e Shelfit Kontintental Greqi – Itali i shmanget pikës treshe me një distancë prej 7 miljesh. Ka pasur raste kur marrëveshje të ngjashme dypalëshe janë përdorur kundër palëve të tjera, duke dakordësuar qendrime që shkonin ndesh me interesat e atyre palëve të treta. Distanca arsyeëshëm e mjaftueshme e pikës 1 të vijës ndarëse të shelfit kontinental Greqi-Itali nga pika treshe anon në favor të argumentit të një pranimi të heshtur nga palët, të mbajtjes parasysh të interesave të ligjshme të Shqipërisë.
Demarkim apo Delimitim?
Përfundimisht, pyetja që shtrohet është nëse, për Detin Territorial kemi të bëjmë me proces demarkimi apo delimitimi? Me demarkim do të quajmë procesin e saktësimit të një kufiri të njohur ekzistues. Me proces delimitimi do të quajmë përcaktimin de novo të kufirit atje ku vija kufitare nuk ekziston.
Nëse do të ndërmerret procedura e demarkimit, atëhere vija e demarkimit do të mbështetet në kufirin e përcaktuar ndërshtetëror, ku gjerësia e Detit Territorial pêr Shqipërinë është 12 md, kurse për Greqinë është 6 md. Në pikën ku Kanali i Korfuzit ngushtohet me 12 md [6 + 6], atëhere demarkimi zbatohet tek mesorja e barazlarguar dhe e korrektuar.
Ilustrimi 5: Harta e hapësirave detare të Republikës së Shqipërisë. Me të kuqe përcaktohet Deti Territorial. Për pjesën jugore harta i referohet marrëveshjes së anulluar të delimitimit Shqipëri-Greqi të v. 2009. Nga harta mund të deduktohen hapësirat detare që Shqipëria konteston në Detin Jon, qoftë sa i takon Detit Territoria, qoftë sa u takon Shelfit Kontinental dhe ZEE-së, në zonën në veri-perëndim dhe perëndim të Korfuzit e ishujve të tjerë të Diapontit. Burimi i hartës: A. Meçollari, UNCLOS 1982 dhe vija bazë e RSH, QKSM, Tiranë, 2014, f. 88.
Por nëse do të ndërmerret procedura e delimitimit të Detit Territorial, shelfit kontinental dhe ZEE-së, midis Greqisë dhe Shqipërisë në Detin e Jonit, atëhere ajo do të pêrfshinte këto hapa
(i) përcaktimi i pikave bazë dhe brigjeve relevante; (ii) ndërtimi i vijës [mesore] provizore; (iii) shqyrtimi i rrethanave të posaçme dhe i ndikimit të “Equity” [Ekitésë]; (iv) korrektimin e vijës provizore; (v) shqyrtimi i testit të disproporcionalitetit bazuar në brigjet relevante; (vi) ndërtimi i vijës përfundimtare të delimitimit.
Ilustrim 6: Harta a Detit Territorial në Ngushticën e Korfuzit sipas marrëveshjes së anulluar të delimitimit Shqipëri-Greqi të v. 2009. Harta tregon qartë cungimin e të dtejtave sovrane të Shqipërisë nga moszbatimi i parimit të “rrethanave të posaçme” apo “ekitésë”. Burimi i hartës: A. Meçollari, UNCLOS 1982 dhe vija bazë e RSH, QKSM, Tiranë, 2014, f. 88.
Korrektimi i vijës provizore, sipas “rrethanave të posaçme” të “titullit historik”, do të ruante brezin prej 6md të Detit Territorial grek, duke e “mbështjellë” atë me brezin e Detit Territorial shqiptar duke filluar nga vija e mesores së barazlarguar në distancën 12 md [6 + 6] nga brigjet përkatëse, dhe duke e zgjeruar atë brez gradualisht deri sa distanca midis brigjeve përkatëse të arrijë në 18 md [6 + 12], që përfaqëson pikën ku dy detrat territoriale përkatëse nuk puqen më, dhe shkëputen nga njëri tjetri. Nga kjo pikë e tutje, kufiri mund të jetë midis dy zonave të puqura përkatëse (contiguous zones).
Marrëveshja Detare para Tribunalit ITLOS të Hamburgut
Siç mësohet nga shtypi, pala greke ka refuzuar të negociojë zbatimin e “rrethanave të veçanta” apo të parimit të “equity” në delimitimin e Detit Territorial. Për më tepër, njoftime të fundit bëjnë të ditur se pala greke përgatitet për ta përcjellë në Parlament procedurën për zgjerimin e Detit të vet Territorial nga 6 md në 12 md. Nga ana e vet, pala shqiptare nuk është aspak e detyruar ta pranojë këtë qëndrim.
Natyrisht që Greqia ka tagrin të ushtrojë të drejtën e vet sovrane për zgjerimin deri në 12 md të Detit të vet Territorial. Por, nga ana tjetër, edhe shtetet, interesat e të cilëve mund të cënohen nga ky veprim, si p.sh. Turqia, Italia ose Shqipëria, kanë tagrin për ta kundërshtuar dhe për të mos ta pranuar këtë hap.
Shembull i qartë i ndryshimit të balancës së interesave sovrane në Detin Mesdhe është fakti, i trumbetuar nga ish-zyrtarë grekë, se duke zgjeruar brezin e Detit të vet Territorial në Jon me 12 md, Greqia e rrit territorin e vet me një sipërfaqe më të madhe se sa provinca e Thesalisë[17], d.m.th. rreth 12,000 km katrorë.
Qëndrimi grek bie ndesh me qëndrimin e njohur të palës shqiptare se, sa i takon delimitimit të Detit Territorial, duhet të mbahen parasysh “rrethanat e veçanta” për arritjen e një zgjidhjeve të drejtë dhe të ndershme, çka parakupton se ishujve të Diapontit, përfshirë Korfuzin, mund t’u takojë efekt i pjesshëm, siç është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese dhe çka, për palën shqiptare, përbën “vijë të kuqe”.
Për më tepër, qëndrimi i palës shqiptare mbështetet në argumentin e mbizotërimit të parimit të “titullit historik” kundrejt parimit të barazlargësisë [Neni 15 i UNCLOS], si dhe në prirjen e përgjithshme të shprehur në jurisprudencën më të fundit se “dheu kontinental merr epërsi ndaj dheut ishullor sa u takon projeksionit të hapësirave detare përkatëse”, siç shpjegohet më përpara.
Përfundimisht, duket qartë se midis palëve ka mospajtim apo mosmarrëveshje për çështje themelore të delimitimit të Detit Territorial, shelfit kontinental dhe ZEE-së.
Këtu lypet të bëhet një digresion i rëndësishëm. I përbërë nga profesionistë të respektuar dhe të nderuar, nuk besojmë se ndokush ndër negociatorët e ekipit shqiptar të mund t’i mveshë vetes barrën e rëndë që të negociojë atribute sovrane të Republikës së Shqipërisë. Askush nuk e ka atë tagër. Përndryshe, plotfuqishmëria, që nuk mund të jetë absolute, është absolutisht e pavlefshme dhe kurdoherë e revokueshme.
Po ashtu, është tërësisht absurd nocioni se marrëveshja e çfarëdollojshme detare me Greqinë qenkërka thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kësisoj, askush edhe nga ana e BE-së nuk ka kurrfarë tagri që t’i bëjë trysni Presidentit, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Opozitës, apo kujtdoqoftë tjetër në Shqipëri, se nuk do të ketë pranim të Shqipërisë në BE po qe se nuk i bëhen lëshime shtetit fqinj në marrëveshjen detare….!!
Prandaj, duke patur parasysh pamundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje përmes negociatave, atëhere lind pyetja se si mund të veprohet më tej?
Konventa e Detit (UNCLOS), më saktë Pjesa XV, përcakton me hollësi parimet dhe procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ato zgjidhen në rrugë paqësore, në pajtim me Neni 2/3 dhe 33/1 të Kartës së OKB-së, si dhe të dispozitave të UNCLOS.
Seksioni 2 i Pjesës XV përcakton procedurat për zgjidhjen e detyrueshme të mosmarrëveshjeve.
Përzgjedhja e forumit dhe procedurës përcaktohet nga Neni 287 i Konventës UNCLOS. Sipas tij, rrugët e mundshme janë:
(i) Tribunali Ndërkombëtar i së Drejtës së Detit [ITLOS], me seli në Hamburg. Tribunali ITLOS ka edhe një tipar tjetër të veçantë dhe pozitiv: ofron edhe asistencë financiare për të mbuluar kostot dhe shpenzimet procedurale përmes një fondi të posaçëm besimi, tek i cili mund të kualifikohet edhe Shqipëria, si vend në zhvillim;
(ii) Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë;
(iii) një Tribunal Arbitrazhi ad hoc, në përputhje me Aneksin VII të UNCLOS.
Arbitrazhi ad hoc është procedura normë nëse shteti nuk ka bërë përzgjedhjen përmes një deklarate përkatëse për preferencën e forumit (Neni 287/3), ose kur shtetet nuk kanë pranuar të njëjtën procedurë ose forum (Neni 287/5).
Në rastin tonë, Shqipëria ende nuk ka paraqitur deklaratë për procedurën dhe forumin që përzgjedh, kurse Greqia e ka shpallur preferencën e vet në favor të Tribunalit ITLOS të Hamburgut.
Procedurat me arbitrazh ad hoc, të ndërmarra kohët e fundit, kanë lênë për të dëshiruar, duke shkaktuar mjaft pakënaqësi nga shtete e interesuara. Është mendimi i këtij autori se arbitrazhi ad hoc, si procedurë përzgjedhëse nga ana e shtetit shqiptar, duhet të shmanget me çdo kusht.
Arbitrazhi ad hoc shmanget vetëm nëse edhe Shqipëria shpall përzgjedhjen e saj për procedurën e parashikuar në Nenin 287 të UNCLOS në favor të Tribunalit ITLOS në Hamburg, përmes një Deklarate Zyrtare të Misionit të saj pranë OKB-së.
Përfundimisht, kemi mendimin se, herët apo vonë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve për delimitimin e Detit Territorial si dhe të hapësirave të tjera detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, do të duhet të ndërmerret nga Tribunali Ndërkombëtar i së Dejtës së Detit (ITLOS), i ngritur në përputhje me Aneksin VI të UNCLOS, me seli në Qytetin e Lirë dhe Hanseatik të Hamburgut në Gjermani./Shekulli/