Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Mark Marku duke komentuar vendimin e DASH për shpalljen ”non grata” të Sali Berishës, deklaroi se protagonizmi i tepruar i ish-kryeministrit, dëmton lidershipin e partisë, dhe ristrukturimin e kësaj force politike.
Deklarata e Markut u bë ditën e sotme në emisionin ”Kjo Javë” në News24. Sipas tij, me shpalljen ”non grata”, marrëdhënia e Berishës me Partinë Demokratike, tashmë është komplikuar.
Ndër të tjera, Marku tha se nuk mund të merrej ky vendim për Berishën, i cili është një politikan me histori e ndikim në shoqëri, dhe nuk shpallet ”non grata”, kryeminsitri Edi Rama, që për të është shumë i rrezikshëm.
Mark Marku: ”Nëse do e bënte Berisha do e lehtësonte shumë punën e PD qoftë me kundërshtarët politikë. Por mendoj që PD do e ketë të vështirë të vendosi që ish-kryetari i saj të jetë pjesë i PD. Sepse shpallja ‘non grata’ mbështetet në disa argumente dhe s’ka vlerë juridike. Ajo është një qëndrim. Nuk mund t’i thuash ish-kryeministrit mos eja në Parlament. Edhe kur Berisha ka qenë kryeministër kam pasur kritika. Duhet menduar gjëja në kuptimin që është shpallur ‘non grata’. Unë mendoj që protagonizmi i tepruar i Berishës, dëmton lidershipin e PD dhe është një pengesë në ristrukturimin e PD, sepse Berisha është karizmatik, është e vështirë të bëhet dikush lideri i PD duke pasur Berishën aty. Unë mendoj që Berisha dhe PD janë futur në marrëdhënie të komplikuar. Do të duhet që PD të ketë marrëdhënie shumë të mira me PD dhe BE. Rama nga krahu tjetër ka shumë forca lobingu. U shpall ‘non grata; një politikan me histori, ndikim në shoqëri, ndërkohë që qeveria amerikane nuk shpall ‘non grata’ Ramën që është shumë i rrezikshëm.”