Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, ka fajësuar kryeministrin Rama, ku sipas tij, nuk veproi pas tërmetit të 21 shtatorit. Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë të gjithë kabinetin qeveritar, duke filluar nga kryeministri Rama, si përgjegjësit kryesor, pasi nuk kanë kryer asnjë veprim pas tërmetit të 21 shtatorit. I ftuar në RTV Ora në emisionin “Ditë e Re”, Endrit Braimllari u shpreh se qeveria duhet të marrë masat sa i takon ekipeve të emergjencës. Këtu ai i referohet edhe sinjalizimit që erdhi muaj më parë nga sizmologu grek për tërmetet, e ku për të, Rama nuk bëri asnjë lëvizje.
“Pas tërmetit të 21 shtatorit, duhet të ishin marrë masat nga ana e qeverisë. Mungesa e funksionimit të institucioneve shtetërore, ka sjellë sot këtë kaos. Sepse të jeni të bindur, këto probleme që ne hasëm me këtë tërmet, kjo fatkeqësi që pati 51 viktima, që është shumë e rëndë për shqiptarët. Qoftë edhe një person të humbi jetën është shumë e rëndë. Kjo ka ardhur si pasojë e neglizhencës së institucioneve shtetërore, dhe kjo vjen si pasojë e papërgjegjshmërisë së këtij kryeministri.
Unë mendoj që një qeveri e përgjegjshme dhe një institucion i përgjegjshëm, si fillim duhet të marrë masa për sa i përket ekipeve të emergjencës. Kur ti sinjalizohesh se ke një situatë emergjente nga sizmologë grek apo të tjerë, që mund të ketë tërmete që sjellin probleme për popullatën, ti duhet të marrësh masa si institucion.
Ne jemi vend anëtar i NATO-s. Ajo ç’ka duhet të bëjmë si shtet për së brendshmi, është forcimi i emergjencave civile, duke i pajisur ato me mjetet e nevojshme. Ne kemi efektivë shumë të zotët dhe efektivët kanë përballuar 5 orët e para drejtpërdrejt emergjencën e parë, por ishin të papërgatitur me mjete.
Edi Rama dhe qeveria është përgjegjësi kryesor që neglizhuan tërmetin e 21 shtatorit. Prokuroria duhet te nis hetimet, duke filluar nga Edi Rama i pari, dhe te të gjithë të tjerët me radhë”, u shpreh Braimllari.