Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Kushtetuese kërkesën për kushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të deputetit Etem Arifi, për Qeverinë Hoti. Në njoftimin e Vetëvendosjes, thuhet se gjatë sencës në të cilën u votua qeveria, kundër vullnetit të votuesve, mori pjesë edhe deputeti i dënuar.
Po sipas njoftimit në fjalë, thuhet se është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg.
Njoftimi i plotë i VV-së:
Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg.
Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës.