“Air Albania Stadium” ky është emri që do të mbajë impianti më i madh sportiv në vendin tonë. Pas disa fazash garimesh, kompania ajrore është përzgjedhur si fituesja për të drejtat e emrit për stadiumin kombëtar. Kontrata që do të nënshkruhet do të jetë 5 vjeçare dhe vlera e ofertuar është 650 mijë euro në vit.
Në garë për emrin ka qenë kompani të tjera të mëdha si Vodafone, Sigal dhe Bolvoil. Përzgjedhja e “Air Albania” është bërë në bazë të ofertimit më të mirë financiar, mësohet nga “Qendra Sportive Kuqezi”, shoqata që administron stadiumin.
Kontrata është lajmëruar që do të firmoset ditën e hënë. Kjo është hera e parë që një stadium në Shqipëri merr një emër komercial. Përpos debateve dhe traditës me emra të fiksuara, mënyra e propozuar është një format bashkëkohor dhe ka rezultuar si mënyra më e mirë për menaxhimin e impianteve të këtyre përmasave, të cilat kanë një kosto shumë të lartë mirëmbatje.
Praktika të tilla financiare janë aplikuar dhe në shumë vende të botës. Në Evropë, në Bundesligë 80% e stadiumeve kanë emra komercialë, në Premier League janë 30% e impianteve me emra të tillë. Në Serie A 10% dhe Ligue 1 dhe 5% në La Ligan e Spanjës.