Nga: Renato Çaushi
Paraditen e sotme, teksa Kuvendi po diskutonte për shkarkimin e tij dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor, Presidenti i Republikës Ilir Meta, është fotografuar në një kafene në Tiranë.
Fillimisht, ai ka qenë nën shoqërinë e ish-deputetit dhe këshilltarit të tij, Dritan Ylli teksa pak çastë më vonë, tavolinës i është bashkuar deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli dhe një tjetër person.
Mësohet se takimi mes Metës dhe Angjelit, ka zgjatur për rreth 40 minuta, ndërkohë që nuk dihet nëse deputeti socialist është ulur me Kreun e Shtetit për të diskutuar për shkarkimin e tij, apo ka qenë thjesht një takim miqësor.
Angjeli, i cili ka qenë më parë edhe Minstër i Financave, nuk garoi për një mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ndaj këto janë muajt e fundit për të në këtë legjislaturë.
Kuvendi miratoi Komisionin Hetimor
Ditën e sotme, Kuvendi miratoi me 97 vota pro, ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Ndërkohë, 6 deputetë të pranishëm të seancë votuan kundra ngritjes së Komisionit, teksa pati vetëm një abstenim.
Përse u ngrit Komisioni Hetimor
Kuvendi i ka hapur rrugë Komisionit Hetimor që të hetojë lidhur me shkeljet e pretenduara nga 49 deputetë të mazhorancës, të cilët akuzojnë Metën se ka dalë jashtë kompetencave dhe ka shkelur Kushtetutën para dhe gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.
Në daljet e tij të shpeshta publike, Meta ka akuzuar mazhorancën se do të tentojë të prishë procesin zgjedhor, teksa bënte dhe paralajmërime të forta, ku thoshte se do t’i pritej dora atij që cënon votën e lirë, apo deklaronte se popullli duhet të rrëmbejë sfurqet.