Në vitin 2015, Fatmir Kajolli ishte në telashe të dyfishta ligjore; drejtësia italiane e kërkonte për dy dënime si “pjesë e një organizate kriminale të narkotikëve”, ndërsa drejtësia shqiptare po hetonte pasuritë e tij të shumta në qytetin e Fierit.
Por brenda tre vitesh dhe falë një serie vendimesh të diskutueshme të gjykatave, Kajolli ia ka dalë të zgjidhë problemet e tij ligjore në Itali dhe Shqipëri, të rifitojë lirinë si dhe të rikuperojë pjesën më të madhe të pronave në emër të familjes së tij.
Fatmir Kajolli është një ndër personazhet e shumtë që bëri sukses si biznesmen në Shqipëri, ndonëse ishte i dënuar prej vitit 2000 me 6 vjet burg nga Gjykata e Romës [dënimi i reduktuar në shkallën e dytë] dhe 16 vjet të tjera nga Gjykata e Milanos për vepra penale që lidhen me trafikun e narkotikëve. Në vitin 2011, ai u katapultua gjithashtu në politikën lokale dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Fierit nën siglën e Partisë Republikane.
Kajolli u arrestua në maj të vitit 2016, pasi i shpëtoi një kërkese të mëparshme për ekstradim në Itali në vitin 2012-kur ishte ende anëtar i Këshillit Bashkiak të Fierit. Pas rrëzimit të kërkesës italiane për konvertimin e dënimit të tij me 22 vjet burg në Shqipëri, Kajolli u dënua fillimisht me 8 vjet, të cilat u reduktuan në Apel me 5 vjet dhe vuajti fizikisht në qeli vetëm dy vjet burg.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se liria e parakoshme e Kajollit erdhi pas 19 kërkesash penale, shtatë prej të cilave për përfitim amnistie; të cilat u mirëpritën nga Gjykata e Fierit në pjesën e tyre më të madhe.
Në maj 2018, edhe Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë vendosi të lirojë nga sekuestrimi pjesën më të madhe të pasurive të sekuestruara në tetor 2015, me argumentin se burimi i tyre nuk ishin aktivitetet e Kajollit në Itali por një seri kontratash dhurimi nga pronarë të ligjshëm-duke e vulosur kësisoj përballjen e Fatmir Kajollit me drejtësinë shqiptare.
BIRN kontaktoi avokatin Ardian Visha, i cili përfaqësoi Kajollin në Gjykatën e Krimeve në çështjen e konfiskimit të pasurive. Visha tha se nuk kishte koment tjetër përpos qëndrimit që kishte mbajtur në gjykatë ku e konsideron kërkesën e prokurorisë si antikushtetuese.
BIRN u përpoq të kontaktonte me gjykatësin e Fierit Piro Sota, i cili dha vendimin e lirimit të Kajollit dhe i njohu atij dy vite përfitimi nga amnistia, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk qe e mundur të merrej një reagim.
“Pasuria e dhuruar”: Në maj 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën për konfiskimin e pjesës më të madhe të pronave të Fatmir Kajollit, me argumentin se Prokuroria nuk kishte sjellë prova për të vërtetuar fiktivitetin e një morie kontratash dhurimi.
Pronat rezultojnë të regjistruara kryesisht në emër të Majlinda Çukos, zyrtarisht ish-bashkëshortja e Kajollit, por e njohur në vendim si subjekt i ligjit “Antimafia”. Megjithatë, Gjykata e Krimeve të Rënda përmes një vendimi të cilin BIRN e disponon, arriti në përfundimin se pronat ishin përfituar përmes akteve të dhurimit nga pronarët e ligjshëm të tyre.
Nga rreth 210 hektarë truall [2.1 milionë metra katrorë], arë, pyll e tokë pa frut kryesisht në afërsi të plazhit të Semanit dhe në Fier, për të cilat ishte kërkuar sekuestrimi nga Prokuroria, vetëm 36.4 hektarë të blera nga ish-bashkëshortja e Kajollit u konfiskuan. Po ashtu, gjykata konfiskoi edhe tre kompani në pronësi të djalit dhe ish-bashkëshortes dhe asetet e tyre, ndërsa pjesa tjetër e tokës rreth 1.8 milionë metra katrorë iu kthyen të zotit, pasi u gjetën nga Gjykata si të ligjshme.
Vlera e pronave që iu kthyen familjes Kajolli ishte gjithashtu pjesë e debatit gjyqësor. Sipas Prokurorisë ato kapin vlerën e 921 milionë lekëve, ndërsa ekspertiza e porositur nga Gjykata i vlerësoi ato për 288 milionë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendoi se kontrata e dhurimit për tokat “ishin fiktive” dhe të simuluara për të mbuluar blerjet dhe kërkoi konfiskimin e tyre bashkë me tre kompanitë dhe pasuri të tjera të çiftit.
Avokatët e Kajollit, Çukos dhe disa personave të tretë të përfshirë në gjykim, kërkuan rrëzimin e plotë të kërkesës së prokurorisë, duke pretenduar se mbi ta nuk vepronte ligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur gjerësisht si “Antimafia” apo edhe se “pasuritë ishin krijuar para konstatimit të fillimit të aktivitetit kriminal”.
Në procesin gjyqësor për pasuritë, avokati i Kajollit, Ardian Visha e cilësoi procesin si antikushtetues, pretendoi se pronat nuk kishin lidhje me klientin e tij dhe se ato nuk ishin krijuar gjatë periudhës së pretenduar si të përfshirë në aktivitet kriminal.
“Asnjë nga pasuritë që kërkohen të konfiskohen nuk është krijuar gjatë periudhës kohore të pretenduar si të përfshirë në aktivitet kriminal. Në pronësi të të paditurit Kajolli është vetëm prova nr.1, e cila e ka akt-blerjen në vitin 1997,” citohet të ketë deklaruar avokati në vend.
Procesi gjyqësor për pasuritë e rrethit familjar të Kajollit zgjati 3 vjet. Prokurorja Suela Muhametaj dorëzoi çështjen në gjykatë në maj të vitit të kaluar dhe gjykata u angazhua vetë në ekspertizë të sajën për vlerën e tyre dhe mënyrën e përfitimit.
Në vendim, trupa gjykuese e përbërë nga Flora Hajredinaj, Klodian Kurushi dhe Iliriana Olldashi thotë se çështja kishte qenë komplekse. Fillimisht gjykata rrëzoi pretedimet e Kajollit se pasuritë nuk ishin vënë nga aktivitete kriminale dhe po ashtu pretendimin e tij se ishte dënuar për aktet që kishte kryer në Itali dhe ligji në fjalë ishte antikushtetues.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Majlinda Çukos, zyrtarisht ish-bashkëshorte e Kajollit, pretendoi se divorci i shkurtit 2007 e përjashtonte atë nga ky hetim dhe se ajo nuk ishte subjekt i ligjit, pasi “nuk ishte person i afërt”. Ata po ashtu pretenduan se “asnjë prej pasurive nuk është në emër të Kajollit” dhe se “dhurimi i pasurisë nga të tretët te Majlinda Çuko është bërë nga persona që nuk janë subjekt i ligjit“.
Prokuroria në krahun tjetër, sipas vendimit të gjykatës, qe në gjendje të provonte se Çuko dhe Kajolli ishin ndarë vetëm formalisht dhe vetëm për të mbrojtur pasuritë nga sekuestrimi. Prokuroria tha se policia kishte konfirmuar që çifti bashkëjetonte. Një provë se divorci kishte qenë fiktiv, me qëllim tjetërsimin e pasurive, ishin edhe shit-blerjet që çifti kishte bërë me njëri tjetrin. Po ashtu prokuroria gjeti se gjatë kohës që Kajolli ishte i arrestuar, Çuko e vizitonte vazhdimisht në qeli. Gjykata arriti kështu në përfundimin se ndër të tjera ishte provuar nga dëshmitë në gjyq, por edhe nga prova të tjera se pasuritë e Çukos zotëroheshin në mënyrë të tërthortë edhe nga Kajolli.
“Majlinda Kajolli është subjekt i ligjit (antimafia). U provua se pasuritë zotërohen në mënyrë të tërthortë nga i padituri Fatmir Kajolli,” thuhet në vendimin e gjykatës.
“Kajolli na ndihmoi të merrnim tokat”: Megjithëse pjesa më e diskutueshme e vendimit është njohja e 1.8 milionë metra katrorë tokë si të ligjshme, në vendim del se mes prokurorisë dhe gjykatës ka pasur diferencë sa i përket vlerës së pronave që kërkohej të sekuestroheshin dhe përcaktimit të tyre si dhurata pa lidhje direkte me Kajollin.
Prokurorja e çështjes në pretendimet e saj thotë se eksperti i caktuar nga gjykata kishte vlerësuar pronat me një çmim shumë më të ulët se sa vlera e tregut dhe madje edhe se sa çmimet e referencës të miratuara nga qeveria. Kjo sipas prokurorisë do u mundësonte të paditurve të pretendonin se kishin të ardhura të mjaftueshme për t’i zotëruar pronat.
Diferenca në vlerat e dhëna sidoqoftë ishte e madhe. Në total pasuria që sipas ekspertizës nga gjykata u konsideruan me vlerë 288 milionë lekë, u vlerësuan nga Prokuroria në rreth 921 milionë lekë.
Prokuroria pretendon se në disa raste ekspertiza kishte bërë “gabime faktike duke zvogëluar sipërfaqen e ndërtuar”, po ashtu ajo thotë se ekspertiza e kërkuar nga gjykata kishte ndryshuar “vendndodhjen pronave duke i lëvizur nga fshatrat Darzezë dhe Sheq Marinëz në fshatin Polçan” dhe po ashtu i ka vlerësuar ato poshtë çmimit të referencës së shkurtit 2008.
Gjykata e Krimeve të Rënda i rrëzoi pretendimet e prokurorisë mbi këtë çështje, duke i qëndruar ekspertizës dhe duke vlerësuar se prokuroria kishte marrë parasysh çmime që ishin të viteve të fundit dhe jo të kohës kur ishin bërë transaksionet.
Vendimi në fund i pranoi prokurorisë disa kërkesa. Gjykata pranoi sekuestrimin e aseteve të shoqërive “Çitadela”, “Aba 2011” dhe “International Parking 2011”, që përfshin disa autobusë dhe automjete të tjera e paisje zyre. Po ashtu, gjykata pranoi që një pjesë e pronës e përfituar përmes blerjes nga Majlinda Çuko duhej të konfiskohej. Gjykata tha se 364 mijë metra katrorë pronë e blerë në vitin 2009 me vlerë 60 milion lekë duhej të sekuestrohej, pasi “rezulton e fituar përmes blerjes” dhe duke e cilësuar atë të përfituar përmes veprimtarive kriminale.
Por gjykata vendosi të rrëzonte akuzën për pjesën më të madhe të pronës. Fillimisht gjykata rrëzoi pretendimet e prokurorisë për një truall 4500 metra katrorë dhe një sipërfaqe ndërtimi 1686 m2 në Fier. Pasuria ishte blerë nga Kajolli në vitin 1997 dhe ai ia kishte shitur atë të shoqes në vitin 2007 për 900 mijë lekë. Prokuroria pretendoi se veprimet ishin fiktive, por gjykata në fund vendosi se pasuria “ishte krijuar para se Kajolli të përfshihej në aktivitet kriminal” bazuar në vendimet e gjykatave italiane.
Më pas, po ashtu gjykata vendosi të hiqte sekuestron edhe për 1.8 milionë metra katrorë prona të tjera, kryesisht tokë pyll dhe jofrutore. Gjykata tha se prokuroria nuk qe në gjendje të provonte siç prendoi se aktet e dhurimit ishin fiktive. “Nuk provoi simulimin e shitjes, nëpërmjet dhurimit nga të paditurit e këtij gjykimi”, thuhet në vendim.
Duke iu referuar dëshmive të personave që kishin dhuruar tokën për bashkëshorten e Kajollit, prokuroria pati argumentuar se ata kishin pranuar përfshirjen e këtij të fundit në procesin administrativ të kthimit dhe kompensimit të pronës.
Prokuroria po ashtu tentoi të argumentonte se dhurimi në vlera, sipas saj 921 milion lekë ishte i dyshimtë. “Majlinda Çuko ka marrë tokë bujqësore dhe jo prodhuese përmes kontratave të dhurimit… Krijohet dyshimi i arsyeshëm mbi fiktivitetin, është fshehur kontrata e blerjes”, citohen në vendim pretendimet e prokurorisë.
Por dëshmitë e personave që kishin kryer dhurimin u përdorën nga mbrojtja për të rrëzuar këtë pretendim. Të thirrur në gjykim ata dëshmuan se ia kishin dhuruar tokën Majlinda Çukos pas angazhimit të Fatmir Kajollit dhe të sajin në proceset administrative të kthimit dhe kompensimit të pronave. Ata i thanë gjykatës se dhurimet ishin bërë pasi ata kishin marrë pronën e tyre dhe se çifti Kajolli i kishte ndihmuar për këtë.
Dëshmitari F.R i tha gjykatës se kishin kërkuar ndihmën e çiftit pasi ata jetonin në Tiranë: “Ishim në moshë, largësia ishte e madhe, makinë nuk kishim dhe për këtë u detyruam të gjejmë një njeri”. Ai tha se Kajollin ua kishin rekomanduar, por nuk mbante mend kush ndërsa shtoi se pas kësaj ata kishin vendosur t’u dhuronin tokën për shërbimin dhe se me kërkesë të çiftit toka ishte dhuruar Majlinda Çukos dhe Kajolli vetë “përjashtoi veten nga kërkesa për të qenë pjesëtar”.
Megjithëse emri i Kajollit del në dëshmi dhe ai del i përfshirë në proces, gjykata vendosi se këto pasuri ishin përfituar nga dhurimi dhe formalisht me kontratë dhe kështu cilësoheshin të ligjshme. Gjykata argumentoi se nuk kishin nevojë të provonin që kishin mjete për të blerë pronën për sa kohë ajo ishte dhuruar.
Lirimi i Kajollit: Vendimi për heqjen e sekuestros mbi pasuritë nga Gjykata e Krimeve të Rënda erdhi pas një numri të konsiderueshëm vendimesh, që i shkurtuan ditët e dënimit Fatmir Kajollit.
Kajolli ishte dënuar fillimisht me 24 vjet burg nga një gjykatë në Romë për “për shoqatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim të lëndëve narkotike”. Më pas ai u dënua nga një gjykatë në Milano me 16 vjet burg për të njëjtën akuzë. Në Apel vendimi i gjykatës së Romës u ul në 6 vite burg, ndërsa ai i Milanos u konfirmua i njëjtë.
Një kërkesë për ekstradim e drejtësisë italiane u rrëzua nga gjykata në Shqipëri, me argumentin se nuk kishte garanci se ai do të vuante vetëm dënimin për të cilin u kërkua ekstradimi.
Në shkurt 2016, Prokuroria e Romës kërkoi që dy dënimet e Kajollit në Itali, me 6 dhe 16 vite burg të konvertoheshin në 22 vite burg në Shqipëri. Kajolli u arrestua në mars të vitit 2016. Por Gjykata e Fierit, përmes një vendimi absurd vendosi t’i kovertonte 22 vitet e kërkuara nga drejtësia italiane në 8 vjet dënim për Kajollin.
Çështja u apelua si nga Prokuroria ashtu edhe nga Kajolli. Por Gjykata e Apelit të Vlorës vendosi të ishte edhe më bujar me Kajollin, duke e zbritur dënimin e tij në 5 vite burg.
Vendimi u mor në nëntor 2016 dhe të dy palët bënë rekurs në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit refuzoi rekursin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës. BIRN gjeti megjithatë se Kajolli nuk qëndroi në qeli më shumë se dy vjet. Më 19 mars 2018, një vendim i Gjykatës së Fierit i dha atij lirinë.
Vendimi i lirimit erdhi pas kërkesës së Kajollit për t’iu njohur 63 ditë paraburgim dhe arrest shtëpie në vitin 2012, kur ishte arrestuar pas kërkesës për ekstradim. Por gjykatësi Piro Sota pasi shqyrtoi dhe pranoi këtë kërkesë, zbuloi se atij i mbeteshin vetëm 2 muaj burg pas kësaj llogaritje, dhe vendosi që të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të tij, duke e konsideruar vendimin të shuar.
Më herët, Kajolli rezulton të ketë përfituar dy herë amnisti brenda vitit 2017 të pranuar po nga gjykatësi Sota. BIRN gjeti se në një periudhë një vjeçare ai bëri rreth 19 kërkesa të ndryshme penale për përfitim amnistie dhe ulje dënimi apo përjashtim gjykatësi. Kështu fillmisht ai kërkoi t’i ulej 3 vjet dënim, për një amnisti të bërë në Itali në mesin e viteve 2000. Kërkesa u rrëzua nga gjykata si e pabazuar në ligj.
Më pas Kajolli bëri 6 kërkesa të tjera për të përfituar nga ligjet për amnistitë e bëra në Shqipëri në vitet 2012, 2014 dhe 2015, duke pretenduar se edhe pse gjatë kësaj kohe vendimi për dënimin e tij nuk ishte njohur nga drejtësia shqiptare, ai kishte qenë i dënuar me vendim të formës së prerë në Itali.
Kështu në faqen zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier rezulton se më 13 prill 2017 në emër të Kajollit u regjistruan dy kërkesa për përfitim nga amnistia bazuar mbi ligjin 154/2015. Kërkesa që iu shortua gjykatëses Adelina Zarka u pushua, pasi vetë kërkuesi hoqi dorë. Ndërkohë kërkesa tjetër e shqyrtuar nga Piro Sota u gjykua deri në fund dhe gjykatësi vendosi të pranonte atë dhe t’i ulte Kajollit 1 vit nga dënimi prej pesë vjetësh.
Në vendim, Sota argumenton se megjithëse në këtë kohë vendimi ndaj të dënuarit i dhënë në Itali nuk ishte njohur nga drejtësia shqiptare “kërkesa pranohej”, pasi në ligjin për amnisti të vitit 2015 nuk kishte ndalim për njohje të vendimeve të dhëna nga gjykatat e vendeve të huaja. Prokuroria e cilësoi kërkesën të pabazuar në ligj dhe e apeloi atë, por Gjykata e Apelit në Vlorë vendosi të linte në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke pranuar edhe arsyetimin e saj.
Po ashtu në faqen zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier rezulton se në datë 28 shtator 2017 në emër të Kajollit janë regjistruar katër kërkesa “për përfitim nga amnistia”.
Nga këto kërkesa, dy për të cilat u shortuan gjykatëset Igerta Hysi dhe Marsela Dervishi u pushuan pasi kërkuesi nuk u paraqit dhe njoftoi heqjen dorë. Ndërsa dy të tjera, ku u shortua sërish gjykatësi Piro Sota u gjykuan.
Ky i fundit për të njëjtën kërkesë bazuar në ligje të ngjashme amnistie dha vendime krejtësisht të ndryshme. Kështu në dhjetor 2017, ashtu siç kishte bërë edhe në vendimin majit 2017, ai me pranimin edhe të prokurorit Artur Cara i uli sërish Kajollit 1 vit nga dënimi prej 5 vitesh.
Por po i njëjti gjykatës i cili më parë kishte pranuar dy kërkesa për amnisti, në mars 2018 vendosi të rrëzojë kërkesën e Kajollit për të përfituar nga një amnisti e vitit 2012. Ndryshe nga herët e tjera, ku i është referuar nenit të amnistisë që ul dënimin me një vit për të dënuarit që nuk përfitojnë nga amnistia, në këtë rast Sota i referohet nenit që kufizon dhënien e amnistisë për disa kategori të dënuarish përfshi të dënuarit në bazë të nenit 283 të Kodit Penal, që përfshin shitjen dhe trafikun e narkotikëve. BIRN gjeti se i njëjti ndalim për përfitim amnistie gjendej edhe në dy ligjet e tjera (ligji 2015, ligji 2014), për të cilët Sota ka pranuar kërkesën.
Nga ana tjetër, vetëm pak javë pasi kishte dhënë këtë vendim duke refuzuar kërkesën, Sota dha vendimin që liroi Kajollin duke e cilësuar të kryer dënimin e tij, pasi kishte qëndruar 2 vjet në qeli, kishte përfituar dy vjet nga amnistia, 90 ditë ulje dënimi për sjellje të mirë dhe kohën e paraburgimit./BIRN