Albin Kurti dhe Vjosa Osmani përfunduan me sukses raundin e parë të bisedimeve zyrtare për qeverinë e re duke arritur marrëveshjen e parë për të minimizuar numrin e ministrive dhe zëvendësministrave në qeverinë e re.
Albin Kurti tha se kishte rënë dakord me Vjosa Osmanin që kuota e përfaqësimit të grave në qeveri të jetë 30 për qind.
“U dakorduam që të kemi një qeveri prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor, mimalisht do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe zv ministrave. Do të kemi shumë më pak ministri e shumë më pak zëvendësministra”, tha Kurti.
Sipas tij, qeveria do të ketë maksimalisht 12 ministri dhe “nuk do të vrapojnë pas Listës Serbe për t’i kërkuar koalicion.”
Ndërkohë për ndarjen e posteve Kurti tha se nuk kanë biseduar në takimin e sotëm me Osmanin.
Kandidati për kryeministër tha gjithashtu se qeveria e tij do të ketë transparence dhe nuk do të bëjnë pazare politike.
“Pazare politike keni parë me PAN-in. Transparencë do të ketë qeveria e re”, tha ai.
Kreu i Vetëvendosjes konfirmoi se ekipet e dy partive do të takohen për të harmonizuar programet e projektet.
“Ne kemi diskutuar se si do t’i zvogëlojmë bashkojmë përgjegjësitë në kabinetin qeveritar. Porsa ta kemi rezultatin konkret ne do t’ju njoftojmë për emrat e përveçëm në qeverinë e ardhshme,” tha ai.
Kurti vuri në dukje se Kosova ka humbur shumë kohë, dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta.
“Dhe pa humbur kohë në filluam bisedimet duke u nisur me idenë e përbashkët për qeveri sa më efikase dhe shtet sa më të fuqishëm. Ne duam që ti dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga zhvillimi e demokracia”, theksoi ai.
Ndërsa kandidatja për kryeministre e LDK’së, Vjosa Osmani, konfirmoi se ka gatishmëri nga të dy partitë për të arritur një koalicion, dhe se për marrëveshjen finale do të presin përfundimin e procesi të numërimit.
“Ne sapo zhvilluam takimin për diskutuar bashkëpunimin pas një procesi të mirë. Kemi diskutuar në nivel parimeve. Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimeve, sa i përket një qeverie që do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëhet. Iu mbetet partive që diskutohen për detajet. Po presim edhe numërimin e të gjitha votave, para se ta arrijmë marrëveshjen finale. Ka vullnet të mirë në të dy partitë”, tha Osmani.
Kurti dhe Osmani nuk kanë rënë dakord siç duket vetëm në një pikë. Ndërkohë që Osmani vuri në dukje se kushdo që fiton në fund, pas numërimit final të votave do të udhëheqë Qeverinë, Kurti tha se gjithçka është e qartë, se rezultati përfundimtar i votimeve nuk do të ndryshojë dhe se ia kanë uruar njëri-tjetrit rezultatin gjatë takimit.
Në rezultate preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, ndërsa LDK-ja e dyta.
Megjithatë, KQZ-ja vendosi dje rinumërimin e mbi 300 vendvotimeve për shkak të një problemi teknik që ka ndodhur me shtypjen e formularëve.
Ndërkohë nuk janë numëruar ende votat me kusht dhe ato të diasporë.