Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka deklaruar se piku i pandemisë së koronavirusit në Shqipëri, do të jetë këtë javë.
“Besoj që kjo javë do jetë java që tek ne duhet të arrijë pikun, pra numrin e rasteve të reja me COVID-19. Java tjetër do vijojë me këto ritme dhe në fillim të javës së tretë të prillit, numri i rasteve do bjerë. Krahas rënies së numrit shpresoj të zbuten dhe masat e qeverisë, të fillojë një rigjallërim.
Unë si ju, ndjek me vëmendje buletinin e MSH. Janë 3-4 raste tek moshat e reja. Kjo sëmundje ka një periudhë inkubacioni shumë të gjatë. Jo të gjithë rrinë në shtëpi, dikush del. Mjafton të ketë dalë para 2 javësh, 10 ditësh, përmes kontakteve të afërta, dikush e ka marrë. Ndaj vijojmë të themi mos dilni nga shtëpia. Ky virus i prek të gjithë, nuk bën përjashtime”, tha Pipero.
Shërimin e 70 personave në Shqipëri nga COVID-19, Pipero e cilësoi një arritje të madhe.
“Pritshmëritë tona janë kaluar me rastet e shëruara. Kemi 60-70 të shëruar dhe është një arritje e madhe. Falë masave të marra nga qeveria dhe respektimit nga ana e qytetarëve të masave higjieno-personale, pasojat e pandemisë për fat të mirë nuk arritën atë kurbën me majë, të papërballueshme nga strukturat e shëndetësisë. E kemi përballuar më së miri deri tani”, deklaroi Pipero.