Kryeministri Edi Rama ka folur para pak minutash lidhur me ofendimet që u bëri gazetarëve menjëherë pas seancës plenare, ku rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e Tahirit.
I ftuar në “Zonë e Lirë”, Rama tha se nuk ishte i nevrikosur, por thjesht tha një opinion të tijin për gazetarët.
Rama shtoi se foli në atë mënyrë, për shkak se media nuk e realizoi rolin e saj në cështjen Tahiri, duke mos dhënë fakte, por vetëm opinione deformuese të së vërtetës.
Fjala e Ramës:
“S’isha i nevrikosur fare.
Çani: Nuk ju bojkotuan…
Rama: Të bëjnë grevë urie thua? Po do ushqehen. Do rrinë pa ngrënë? Kur të duroj ty, ata s’i kam probleme fare mo Çan.
Dola për ata, doja t’ua thosha nja dy fjalë atyre dhe atyre sipër tyre.
Puna është që të ndërgjegjësohen që roli i tyre është jetik dhe njerëzit kanë nevojë për të marrë sa më të padeformuar informacione për të kuptuar se ça po ndodh.
Unë kam një opinion timin, me erdhi ta them dhe e thashë. Pushteti juaj ka detyrim të japë opinionin, po kjo nuk do të thotë që as unë nuk kam opinionin tim.
Nuk i hyj kësaj historie (gjyqit ndaj gazetarëve), nuk është çështja e Tahirit, është çështja e ofendimit që iu bë të vërtetës për disa ditë me radhë në një rast kur publiku ka të drejtë të informohet dhe të njihet jo vetëm me opinione, por edhe me fakte. Kjo nuk ka ndodhur. Media nuk është përçues pa asnjë koshiencë i çdo gjëje që hidhet në thashethemnajë, por ka detyrimin që të shpërndajë mjegullën në informim, jo të shkaktojë atë.