Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi edhe sot ka akuzuar Ramën, pasi ky i fundit akuzoi partinë me të cilën bashkëqeverisi 4 vjet se kishte futur në llum institucionet që drejtonte gjatë mandatit të parë qeverisës.
Gjatë një takimit me strukturat e LSI-së, Kryemadhi tha se zgjodhi të ishin në opozitë pasi nuk mund të bëheshin njësh me bandat dhe krimin e organizuar:
“LSI në Durrës përjetoi terrorin më të madh gjatë fushatës, por arriti ndër rezultatet më të mira në Shqipëri. Strukturat e shtetit u bënë njësh me bandat dhe krimin e organizuar. Ne zgjodhëm të ishim në opozite, sepse nuk mund të bëheshim njësh me krimin.”
Më tej, Kryemadhi e cilësoi Ramën një rrezik jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal, ndërsa tha se shqiptarët kanë para 2 alternativa: ose të bashkëqeverisin me bandat dhe krimin, ose të zgjohen dhe të reagojnë.
“33 zëvendës ministra në qeveri, Rama vërtetoi shprehjen qeveri e vogël, korrupsion i madh. 33 zëvendës ministrat nuk janë socialistë, por përfaqësues të oligarkëve për të mbrojtur interesat e tyre. Edukata politike në këto 27 vjet ka qenë e bazuar te konflikti, mohimi dhe kundërshtimi i gjithçkaje. Ne duam të sjellim risi dhe t’i japim fund kësaj tradite. Opozita jonë do të jetë e bazuar te alternativat. Ne nuk duam të përfaqësojmë grupe interesi të mafiozëve dhe oligarkëve, por grupe interesi, që lidhen vetëm me interesat e drejtpërdrejta të qytetarëve. Edi Rama sulmon njerëzit e thjeshtë, sepse i urren dhe ka neveri për ta”, tha Kryemadhi.