Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka ngritur alarmin se Shkodra vijon të mos jetë e qetë nga ngjarjet kriminale. Duke iu referuar plagosjes së fundit në Shkodër pak ditë më parë në zonën e Pedonales, Ademi tha në “360 Gradë” se vrasjet dhe atentatet në kryeqendrën e veriut, nuk janë zbardhur ende.
“Situata në Shkodër vazhdon të mos jetë e qetë. Ngjarjet e fundit ishin në mes të qytetit. Ajo që ndodhi atje, ishte një konflikt i armatosur. Krimi godet në zemër të qytetit, në jetën e qytetit. Situata në Shkodër bëhet më evidente, sepse ngjarjet e fundit ishin më evidente”.
“Ndoshta ka një sensibilitet të madh të të gjithë njerëzve dhe reflektohet në një akuzë publike, që jo vetëm unë por edhe qytetarët e thjeshtë e bëjnë. Të ndihesh i pasigurt në qendër të qytetit të Shkodrës, dhe të vazhdojë të përsëritet situata. Ngjarjet që kanë ndodhur në Shkodër, akoma nuk janë zbardhur. Nuk janë zbardhur ata që kanë bërë krime dhe për ata shteti duhet të kishte vepruar. Kriminaliteti është një nga arsyet që njerëzit ikin”.