Kosova ka regjistruar 13 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit. Sipas njoftimit të IKSHPK-së, numri total i infektuarve ka shkuar në 125.
Katër pacientë janë shëruar nga virusi në orët e fundit, duke e çuar në 10 numrin total të të shëruarve.
Deri më tani, vetëm 1 viktimë është shënuar nga koronavirusi në Kosovë.
Njoftimi i IKSHPK:
Sot më 01.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 113 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, trembëdhjetë (13) prej tyre kanë rezultuar pozitive. Sot me 01.04.2020 konfirmohen të shëruar edhe katër (4) pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është dhjetë (10)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK, përcjell Telegrafi.
Më tej në njoftim thuhet se “nga data 08.02.2020 deri me 01.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.380 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 125 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç”.
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.520 kontakte të rasteve.