Nëse të dhënat deri në fund të javës do të jenë pozitive, qeveria shqiptare me gjasë do të nisë të “lehtësojë me pikatore” lëvizjen e qytetarëve.
Kjo u pohua nga kryeministri Rama, në komunikimin publik. Ai ia bëri të qartë qytetarëve te cilët janë të izoluar, se po detajohet plani i lehtësimit gradual. Ky plan do të hyjë në zbatim sapo të shihet fillimi i rënies së kurbës së të infektuarve në Shqipëri. Sipas kryeministrit, deri në mesin e këtij muaji, pra për dy javë, do të mësohet edhe më shumë se sa është shtrirë virusi në Shqipëri.
Sa i përket lëvizjes, kryeministri tha se po studiohet që lehtësimi të fillojë duke nisur nga java e ardhshme. Fillimisht duhet pritur se si do të jenë numrat e të prekurve deri ditën e dielë.
“Deri tani me plot gojën mund të themi se masat shtrënguese na kanë ndihmuar jashtëzakonisht në uljen e agresivitetit, dhe na ka dëmtuar më pak se vetë parashikimet tona optimiste. Faleminderit ju që keni bërë të mundur këtë arritje që është deri tani madhështore. Krahasojeni me katastrofën ku mund të gjendeshim, nëse nuk do kishim marrë masa dhe ju nuk do kishit rezistuar kaq mirë.
Po detajojmë një plan lehtësimi gradual masash që do hyjë në zbatim menjëherë sapo të shohim fillimin e rënies së kurbës së të infektuarve. Nuk e di dhe nuk na e thotë askush se kur do ndodhë kjo. Por deri në mes të prillit do të mësojmë e kuptojmë shumë se sa thellë është shtrirë ky armik mes nesh.
Po studiojmë lehtësimin e lëvizjes duke filluar me pikatore nga java e ardhshme, po që se numrat deri të dielën do na e lejojnë marrjen në konsideratë. Prisnim një kapërcim të numrave në javën që lamë pas, po nuk ndodhi dhe na bën optimist por sot për sot s’do thotë asgjë. Prandaj vigjilencë dhe rezistencë pa u lodhur, sepse fati i kësaj lufte nuk varet vetëm nga ky armik i padukshëm, por nga rezistenca jonë”, tha kryeministri Rama.
Në Shqipëri janë të infektuar nga koronavirusi 259 persona, ndërsa kanë ndërruar jetë 15 shtetas.
Shqiptarët vijojnë të jenë të izoluar në banesat e tyre. Çdo qytetar që do të bëjë pazar, duhet të njoftojë autoritetet një ditë para, dhe pas marrjes së autorizimit mund të dalë nga banesa. Lejohet vetëm një person në familje të bëjë pazar, dhe orari i lejuar është vetëm 1 orë në ditë.