Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti Ilir Meta janë takuar në New York, ku po qëndrojnë në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në takim, sipas Haradinajt, u konfirmua vendosmëria e dy vendeve për ta çuar përpara agjendën euro-atlantike. Me siguri një nga çështjet që është diskutuar mes dy politikanëve shqiptarë ka qenë dhe teza e hedhur së fundi, për korrigjimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, që është kundërshtuar në parim si nga Meta, ashtu dhe nga Haradinaj.
“Kosova dhe Shqipëria janë në të njëjtin kurs të përcaktimit euro-atlantik, dhe miqësisë së përhershme me Amerikën. Në këtë frymë u zhvillua edhe agjenda e ngjeshur gjatë vizitës zyrtare në SHBA. Në një takim rasti me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, rikonfirmuam se vendosmëria jonë për ta çuar përpara agjendën euro-atlantike mbetet e palëkundur”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Ndërsa nga ana e Metës, nuk ka patur asnjë lloj qëndrimi, e bashkëngjitur një fotoje ka shkruar: “Pata kënaqësinë të takohesha në New York me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas kthimit të tij nga Washington DC dhe para nisjes së tij në Kosovë”.