Përfaqësuesja e Task-Forcës së ngritur nga Ministria e Shëndetësisë për koronavirusin, Eugena Tomini sqaroi se nuk ka asnjë person në karantinë.
Ajo deklaroi se vazhdon survejanca e përforcuar në të gjitha Pikat Kufitare me monitorimin e temperaturave.
Tomini theksoi edhe një herë se të gjitha rastet e dyshuara janë testuar, edhe kanë dalë negative. Sipas saj, deri më tani ka pasur mbi 1,600 telefonata nga të cilat vetëm 39 kanë pasur probleme respiratore.
“Për çdo person të testuar jemi afruar me përkufizimin e rastit me shenjat klinike. Personat e përjashtuar dalin nga karantina. Vlerësohen udhëtarët që vijnë nga vendet e prekura për t’u futur vetë në karantinë ose izoluar nëse kanë shenja.
Karantina është për personat e kontaktit me personat me COVID-19. Karantina nuk mban asnjë person sepse nuk kemi asnjë rast. Stafi është i trajnuar dhe të gjithë elementet që parashikon protokolli.
Gjatë ditës së djeshme janë testuar 5 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP nga ku në total numri i rasteve të testuara ka shkuar në 36. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit te ri.
Në 24 orët e fundit thirrjet kundrejt numrit 127 ka arritur nivelin e 1649 telefonatave nga të cilat 39 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë”, tha ajo.