Situata nga koronavirusi në Kinë po përmirësohet dita ditës, teksa numri i të infektuarve dhe të vdekurve ka rënë ndjeshëm.
Sipas mediave të huaja, në 24 orët e fundit në Kinë janë regjistruar vetëm 30 raste të reja (2 raste më shumë nga sa u raportuan sot në Shqipëri). Ndërsa tre persona kanë ndërruar jetë ditën e sotme në të gjithë vendin.
Deri më tani në Kinë janë regjistruar 81,669 raste infektimi, ndërsa 3,329 persona kanë ndërruar jetë.
Më shumë se 76 mijë persona janë shëruar. Vetëm 1,376 raste janë akoma aktive, teksa raportohet se 295 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Ndryshe duket situata në Evropë dhe SHBA ku mijëra viktima po shënohen cdo ditë. Vendet më të prekura nga koronavirusi janë Italia, Spanja, SHBA, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Vetëm para pak muajsh Kina mbante vendin e parë për numrin më të madh të viktimave të shënuara nga koronavirusi. Sot ajo mban vendin e shtatë, teksa edhe Irani ia ka kaluar duke shënuar më shumë se 3,600 viktima.
Vendasit e qytetit Wuhan thonë se qeveria ka mbuluar shifrat e vërteta, teksa sipas tyre më shumë se 42 mijë persona kanë ndërruar jetë atje.