Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar ambientet e përcaktuara për rastet e mundshme të prekura nga koronavirusi, në Spitalin Infektiv në QSUT.
Fatmirësisht deri më tani asnjë person nuk është infektuar me koronavirus në Shqipëri.
Manastirliu theksoi se jemi një vend me risk të ulët, por sipas saj duhet të jemi të përgatitur për çdo rast.
“Nuk kemi asnjë element të dyshuar sot për sot, por jemi të përgatitur dhe vijojmë të përforcojmë masat sipas shkallës së rrezikshmërisë.
Është e rëndësishme që në QSUT ne kemi ‘bokset e izolimit’, të pajisur me gjithë elementët përkatës, që nga pjesa e aparateve respiratore të monitorimit edhe sistemin e gazrave mjekësor.
Për sa i përket ndjekjes së rasteve, është përcaktuar edhe algoritmi i ndjekjes së rastit, që do të thotë se nga moment i konstatimit apo dyshimit, rasti paraqitet në QSUT dhe QSUT është struktura që do të mbajë dhe do të trajtojë këto raste, sigurisht në bazë të flukseve që do të kemi”, tha Manastirliu.