Ish-kreu i “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha ka bërë sot deklarimin e pasurisë.
Ky deklarim pasurie ka ardhur pasi OFL paralajmëroi Berishën dje se ka 48 orë për të bërë veprimin në fjalë.
Avokati i tij Detar Hysi ka pohuar se klienti i tij firmosi deklaratën e pasurisë.
Sipas përfaqësuesit ligjor të Lulzim Berishës, deklarata që Operacioni Forca e Ligjit i kërkoi klientit të tij, është depozituar në Drejtorinë e Policisë.
Kujtojmë se Lulzim Berisha figuron pronar me 40% i një kompanie të hidrokarbureve, pronar i një policie private dhe bashkëpronar i një kompanie tjetër.
Ai u dënua fillimisht me burg përjetë e më pas me 25 vite, i kishin mbetur vetëm 5 vite dënim për të kryer, kur u lirua nga burgu më 5 dhjetor 2016 pas një procesi të gjatë padish e kërkesash që avokatët e tij bënë në gjykata.
Gjykata i dha lirinë duke e vendosur atë në periudhë prove me kusht që për 5 vjet të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës Durrës.
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg.
Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit u llogarit se ai kishte shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.
Përveç matematikës së ditëve të burgut, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”.
Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.
“Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”, citohej shkresa e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako në vendimin e lirimit.
Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka marrë gjithashtu vlerësimin se Lulzim Berisha “shfaq një gjendje shumë të rënduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të dënimit të vuajtur”, pendesën e tij për krimet dhe faktin se dy prindërit e tij janë të sëmurë rëndë dhe jetojnë vetëm.