Me gjasë, izolimi për Italinë do të zgjasë edhe për 15 ditë të tjera. Qeveria italiane, do të marrë masat e reja, kjo në përgjigje të emergjencës nga koronavirusi në të gjithë territorin. Sinjalet që vijnë nga kryeministri Giuseppe Conte, parashikon që izolimi të zgjatet edhe përtej 3 prillit, ndoshta edhe 15 ditë të tjera.
Qeveria italiane pasi dëgjoi mendimin e komitetit shkencor që monitoron situatën e pandemisë në Itali, është shprehur se ende nuk ka kushte sigurie për të liruar masat (të zgjatura teknikisht deri më 31 korrik). Të cilat parashikojnë mbylljen e shkollave dhe aktiviteteve tregtare, detyrimin e vetë-çertifikimit të atyre që duan të largohen nga shtëpia për arsye të provuara të domosdoshmërisë, apo edhe për shëtitje si dhe sportet në natyrë.
“Masat e qeverisë mund të zgjaten”, tha kryeministri Giuseppe Conte. Ndërsa presidenti Sergio Mattarella deklaroi se masat kanë filluar të japin rezultatet e para, por tendenca e kurbës së epidemisë nuk lejon që për momentin të lehtësohet bllokimi.
Të premten në Itali humbën jetën nga koronavirusi 969 persona. Kjo është shifra më e lartë ditore e shënuar nga një vend prej fillimit të shpërthimit të COVID-19.
Tashmë Italia numëron mbi 9.134 vdekje dhe 86.498 raste të konfirmuara personash bartës të virusit. Për nga numri i të prekurve, Italia ka tejkaluar Kinën, vendin ku e ka zanafillën pandemia.