Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në “Facebook”, ka reaguar lidhur me intervistën e dhenë për media gjermane “Dei Welt”, dhe është shprehur se citimi i gabuar nga intervista e regjistruar me gazetarin, është korrigjuar në kohë rekord. Pra media gjermane ka korrigjuar pjesën në intervistën me kryeministrin Rama, teksa ai flet për kapjen e sasisë rekord të kokainës në Durrës. Vetë kryeministri, pasi deklaroi një ditë më parë se nuk ishte e vëretetë që kishte deklaruar se kokaina u kap në bashkëpunim me autoritetet italiane, sot ka postuar lajmin për korrigjimin që ka bërë media prestigjioze.
Reagimi i Ramës
KUR MEDIA NUK ESHTE KAZAN
Prestigjozja gjermane Die WELT korrigjoi në kohë rekord, citimin e gabuar nga intervista ime e regjistruar me gazetarin, lidhur me të vërtetën (e shtrembëruar padashje nga gazetari gjatë zbardhjes së intevistës) të kapjes së 613kg kokainë nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare, pa asnjë bashkëpunim ndërkombëtar!
Mund të kishte qenë fare mirë një operacion në bashkëpunim me partnerët (si shumë të tjerë), që s’do zbehte as vlerën e operacionit e as rolin e agjencive tona, por e vërteta është se nuk ishte dhe kaq!
Ndërkohë që, ndryshe nga ç’ndodh përditë rëndom në këtë vendin tonë të vogël, ku nëpër pasqyrat mediatike bëhet rregullisht “prifti me barrë” e futet “xhamia në thes” dhe askush, as nuk merr e as nuk mban asnjë përgjegjësi përpara publikut, kjo media e madhe e një vendi të madh, merr e mban përgjegjësi publike edhe për një fakt kaq periferik sa ç’është për përmasat e saj, citimi i gabuar i kryeministrit të një vendi kaq të vogël sa i yni?