Kritikja më e fortë e Lulzim Bashës, znj. Jozefina Topalli, e cila ishte ndër emrat më të propozuar nga baza demokrate në Shkodër, ka vijuar sulmet e saj në adresë të kryedemokratit, teksa e ka konsideruar këtë të fundit si dështak. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka konsideruar procesin e zgjedhjes së kandidatëve në selinë blu, si farsë të gatuar nga Basha.
“Formularët janë një fyerje për çdo demokrat dhe komisioni është një truk i Lulzim Bashës për të hedhur hi syve. Nuk besoj se një forcë politike demokratizohet përmes formularëve. Kriza i ka rrënjët pikërisht në marrjen peng të forcave politike. Ndaj dhe beteja duhet filluar aty.
Partitë duhet të çlirohen nga kryetarët dështakë dezertorë. Një drejtim i ri me njerëz të pakorruptuar, do sillte shpresë për vendin. Uroj që të rinjtë të bashkohen për të filluar ndryshimin”, u shpreh ajo.
Siç duket, asaj nuk i ka dalë inati me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Gjatë një prononcimi për mediat, ish-numri 2 i PD ka bërë thirrje për rrëzimin e kryedemokratit, pasi sipas saj, z. Basha duhet të largohet nga Partia Demokratike.
“Partia nuk demokratizohet as me formularë, as me komisione. LB ka përçarë e shkatërruar PD-në. Ai nuk beson në asnjë parim të partisë që lindi 3 dekada më parë. Në këto kushte, nëse vërtet do donte largimin e Edi Ramës, LB duhet të largohet nga kryetari i partisë. Me një drejtim të ri, të gjithë do bashkoheshin realisht pa formularë dhe pa komisione dhe Rama nuk do të kishte më shans për të drejtuar vendin”, deklaroi ajo.