Kohë më parë, një mjeke u zhduk pa lënë gjurmë. Ajo kishte dhënë sinjalet e para se çfarë mund të ndodhte nga një virus i ri. Por autoritetet në Kinë nuk vonuan shumë, e me gjasë e kanë eleminuar. Mediat e huaja e përcollën këtë lajm, por nga Kina nuk kishte asnjë të dhënë.
Siç duket, kjo hakmarrje nuk është ndalur me kaq. Tre gazetarë që kërkonin të tregonin të vërtetën mbi epideminë ne Wuhan, nuk janë parë prej dy muajsh. Chen Qiushi, Fang Bin dhe Li Zehua, kishin shpërndarë foto e video dramatike të gjendjes nga Wuhan-i nën karantinë, ish-epiqendër e koronavirusit të ri.
Por vendndodhja e tyre është tashmë mister prej dy muajsh. Në fillim të muajit, kongresmeni amerikan Jim Banks i bëri thirrje Kinës të hetojë zhdukjen e tre gazetarëve. Ai u shpreh se qeveria kineze i ka burgosur, ose ndoshta diçka më e keqe u ka ndodhur.
Ja kush janë tre gazetarët që janë zhdukur pa lënë gjurmë:
Biznesmeni nga Wuhan-i, Fang u zhduk pas publikimit të videos ku shihej një pirg me trupa njerëzish, në një furgon jashtë një spitali. Video e tij e shkurtër tregon mjekë në veshje të plota mbrojtëse, që tentojnë të kujdesen për pacientët, teksa të tjerë presin me psherëtima. Ai më pas pyet një nga mjekët: “Këta njerëz sapo kanë vdekur? Kur ndodhi kjo? Dje?”.
Fang Bin, një banor i Wuhan-it, u zhduk më 9 shkurt pasi publikoi një seri videosh duke përfshirë një që tregon grumbuj trupash të ngarkuar në një autobus.
Pamjet u bënë virale kur u publikuan nga gazetarja kineze Jennifer Zeng. Fang ka deklaruar se policia erdhi në shtëpinë e tij më 1 shkurt. Ai u arrestua dhe u lirua më datë 9 shkurt, por llogaria e tij u bë e heshtur prej kësaj date, pas një publikimi me fjalët ‘të gjithë të revoltohen – pushteti t’i kthehet popullit’.
Ndërsa Chen, 34-vjeç, është aktivist, i kthyer në gazetar. Ai erdhi në Wuhan para nisjes së bllokadës së koronavirusit, por kishte qenë aktiv në protestat anti-qeveritare në Hong Kong prandaj njihej nga autoritetet.
Në videon e tij të parë në YouTube nga Wuhan, thotë: “Me kameran time do të dokumentoj atë që po ndodh”. Më tej ai pretendon se një grua që duket në video, po rri pranë të afërmit të saj të vdekur në një karrige me rrota, teksa ajo përpiqet të kontaktojë në telefon me familjarët. Në postimin e tij të fundit, për të cilin rrjeti BBC thotë se është bërë nga një miku i tij, bëhet thirrje për kthimin e tij: “Ku është Chen Qiushi tani? A do të flasë më një njeri me të? Chen Qiushi nuk kontakton prej 68 ditësh, pasi kishte raportuar për koronavirusin në Wuhan. Ju lutem shpëtojeni!!!”.
Ndërsa gazetari Li Zehua, 25-vjeç, ka punuar më parë për transmetuesin shtetëror kinez ÇTV. Li duket se u shënjestrua nga autoritetet, pas një vizite që bëri në laboratorin famëkeq të virologjisë në Wuhan, dhe nuk është parë që prej 26 shkurtit.