Alexander Schallenberg njoftoi të enjten se do të largohej nga posti i kancelarit austriak sapo Partia e tij Popullore konservatore të binte dakord për liderin e saj të ardhshëm, disa orë pasi Sebastian Kurz tha se po largohej nga posti.
“Nuk është qëllimi im dhe nuk ka qenë kurrë qëllimi im të marr funksionin e kreut të partisë së Partisë Popullore”, shkroi Schallenberg në Twitter.
“Unë jam i vendosur, i mendimit se të dy zyrat – kreu i qeverisë dhe lideri i partisë me numrin më të madh të votave në Austri – duhet të ribashkohen shpejt [tek një person].”
Schallenberg kishte marrë postin e kancelarit në tetor nga Kurz, i cili dha dorëheqjen si lider i vendit, por fillimisht mbeti kreu i partisë mes një hetimi korrupsioni mbi akuzat se ai përdori paratë publike për të korruptuar anketuesit dhe gazetarët – akuza të cilat ai i mohon.
Kurz tha më herët të enjten se do të hiqte dorë nga politika, duke thënë se kishte në plan të kalonte më shumë kohë me djalin e tij të porsalindur, dhe duke përmendur gjithashtu barrën mendore të hetimit në vazhdim.
Mandati i parë i Kurz si kancelar, nga viti 2017 deri në vitin 2019, u zhyt në skandal në lidhje me të ashtëquajturën afera Ibiza, që përfshin ish-partnerët e tij të koalicionit.
“Unë deklarova gatishmërinë time [për t’u bërë kancelar] në një kohë shumë sfiduese për qeverinë federale dhe Partinë Popullore”, shkroi Schallenberg në Twitter. “Kam respekt të madh për vendimin e Sebastian Kurz, dhe e falenderoj për punën e tij për vendin tonë”.
Sipas gazetës Der Standard, kandidati më i mundshëm për t’u bërë lider i Partisë Popullore (ÖVP) dhe kancelari i ardhshëm i Austrisë, është ministri aktual i Brendshëm Karl Nehammer.
Kur shpalli vendimin e tij për t’u larguar nga politika të enjten, Kurz këmbënguli përsëri se ai është i pafajshëm për akuzat dhe tha se priste me padurim ditën kur mund ta provonte atë.
“Unë nuk jam as shenjtor, as kriminel – unë jam një qenie njerëzore me pika të forta dhe të dobëta, me gabime dhe gjithçka tjetër që shkon me të”, tha Kurz.
Burimi i lajmit: POLITICO. Përshtatur nga Tirana Today