Bota

Ja vendet ku mund të blini me para një shtetësi tjetër

               Publikuar në : 18:52 - 08/06/19 S.N

Letoni – E drejta e statusit të rezidentit, kushton rreth 65 mijë euro. Ose duhet të investohet minimumi 36.000 euro në një fushë të caktuar. Ndërkohë leja e qëndrimit dhe më pas shtetësia, mund të fitohet edhe nëpërmjet blerjes së pasurive të paluajtshme, apo obligacioneve qeveritare pa interes. Letonia është një vend anëtar i Bashkimit Evropian, ndaj pasaporta e saj i mundëson zotëruesit të punojë lirshëm në të gjitha vendet anëtare të unionit.

Moldavi – Shtetësia kushton 146 mijë euro. Një shtetasi të huaj, i kërkohet një kontribut minimal i pakthyeshëm në Fondin e Investimeve Publike prej 100 mijë eurosh, plus disa tarifa administrative, që çojnë deri tek shuma e lartpërmendur. Moldavia, një ish-republikë sovjetike, është një nga vendet më të varfra në Evropë, ku papunësia është e lartë, dhe korrupsioni gjithashtu. Ky vend, preferohet zakonisht nga të gjithë biznesmenët evropianë, që kanë probleme me drejtësinë në vendin e tyre.

Turqi – Shtetësia kushton të paktën 250 mijë dollarë. Ligji turk mbi shtetësinë, që u ndryshua së fundmi në shtator 2018, ofron disa mundësi, 3 prej të cilave përfshijnë investime për një periudhë kohore të paktën 3-vjeçare. Tre opsionet kryesore janë:blerja e një prone me vlerë 250 mijë dollarë, depozitimi i shumës 500 mijë dollar në një bankë turke, dhe se treti investimi i po kësaj shume në obligacione qeveritare.

Greqi – Statusi i rezidentit, që i hap rrugë marrjes së shtetësisë greke, kushton rreth 250 mijë euro. E gjithë kjo shumë, përcaktohet të investohet në pasuritë e paluajtshme në Greqi. Por kriza e rëndë financiare që e preku Greqinë vitet e fundit, e ka bërë më pak joshës fqinjin tonë jugor.

Portugali – “Viza e Artë” kushton plot 350 mijë euro. Ndërkohë opsionet e tjera, përfshijnë një transferim prej të paktën 1 milion eurosh në një bankë portugeze, ose 350 mijë euro investime në aktivitetet kërkimore shkencore dhe teknologjike, në trashëgiminë kulturore kombëtare, në fondet e investimeve ose blerjen e pasurive të paluajtshme.

Mali i Zi – Shtetësia në fqinjin tonë verior, kushton 350 mijë euro. Për marrjen e shtetësisë malazeze, ka 2 opsione:investimi i 250 mijë eurove në një projekt zhvillimor të miratuar nga qeveria në pjesën veriore të vendit, ose një investim 450 mijë euro në një projekt në pjesën jugore të Malit të Zi, që është aktualisht edhe zona më e zhvilluar.

SHBA – Statusi i rezidentit, kushton plot 500 mijë dollarë. Dy vite pas marrjes së këtij statusi, investitorët dhe familjet e tyre, bëhen banorë të përhershëm në SHBA. Të interesuarit, mund të investojnë 500 mijë dollarë në një zonë rurale, ose në zona me papunësi të lartë në një ndërmarrje të re tregtare, për të krijuar 10 vende punë të reja me kohë të plotë.

Spanjë – “Viza e Artë”, kushton 500 mijë euro. Opsionet që ofron ligji spanjoll, parashikojnë një investim minimal prej 500 mijë eurosh në pasuri të paluajtshme, ose një investim minimal prej 1 milionë eurosh në aksione të kompanive spanjolle, ose një depozitë minimale prej 1 milionë eurosh në një bankë spanjolle.

Kanada – Shtetësia kushton 612 mijë dollarë amerikanë. Aplikantët duhet të dëshmojnë se kanë përvojën e duhur në biznes, që njëri apo dy bashkëshortët të kenë një pasuri personale neto që i tejkalon 1 milionë dollarët amerikanë, dhe të kryejë një investim prej të paktën 800 mijë dollarësh për një periudhë prej 5 vjetësh, në një nga dy programet në dispozicion.

Australia – Statusi i rezidentit kushton rreth 1.1 milionë dollarë amerikanë. Ky vend ka një program qëndrimi që mund të çojë tek shtetësia në një periudhë më afatgjatë, pra që në fund ka një kosto të konsiderueshme.

Britani e Madhe – Marrja e një vize kushton 2.57 milionë dollarë. Sipas ligjit, aplikantët duhet të jenë të paktën 18 vjeç, dhe të vijnë nga jashtë Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE) dhe Zvicrës. Opsionet e tjera, janë një investim prej 2 milionë dollarësh në ekonominë britanike në obligacionet qeveritare, dhe aksione në kompanitë tregtare. Aplikantët mund të aplikojnë për nënshtetësinë britanike, pasi të kenë jetuar 6 vjet në këtë vend./ Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT