Grupi i Partisë Socialiste ka mbledhur 37 firma deri më tani, në mbështetje të kandidatit të propozuar për President, Bajram Begaj. Sakaq, Begaj ka depozituar kërkesën e dorëheqjes nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Duke qenë se edhe detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe gradën gjeneral-major, Begaj e ka marrë me dekret nga Presidenti Meta, edhe dorëheqja e tij nga këto poste duhet të pranohet nga Kreu i Shtetit.
Emri i gjeneral-majorit u përzgjodh nga Partia Socialiste pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së partisë, e cila zgjati mëse 1 orë. Kryeministri Rama zbuloi kandidaturën e ushtarakut për t’u votuar si Presidenti i tetë i tranzicionit politik shqiptar. Në fjalën e tij për gazetarët, Rama theksoi se PS e mbajti premtimin që nuk do të zgjedhë në krye të shtetit një politikan socialist, por një personazh jashtë skenës politike shqiptare. Ai bëri me dije se kandidatura e Begajt i takon bllokut të tretë të propozimeve të PS me 26 emra.
Profili i Bajram Begajt, mjeku i parë në Shqipëri që preku majën e ushtrisë
Bajram Begaj i lindur më 20 mars 1967 është një oficer ushtarak shqiptar, i cili shërben si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ai më parë shërbeu si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare. Bajram Begaj është profesor i asociuar i mjekësisë.