Aeroporti i Rinasit mund të rinisë fluturimet në qershor. Drejtori Ekzekutiv i TIA-s, Costandin Von Alvensleben, mbetet shpresëplotë që fluturimet të nisin muajin tjetër. Në studion e “Abc News”, ai bëri me dije se po bëhen përpjekje të shumta nga të gjithë kompanitë e fluturimeve, që fluturimet të nisin në qershor.
Drejtori Ekzekutiv i TIA-s nuk konfirmoi një datë. Po nënvizoi se një vendim i tillë, nuk varet vetëm nga Shqipëria, por dhe nga vendet e tjera për të hapur ose jo kufijtë dhe aeroportet e tyre.
“Mezi pres që të hapet Aeroporti i Rinasit, dhe po bëhen shumë përpjekje që kjo të realizohet. Ka një përpjekje në fushën e turizmit, për të organizuar turistët që vijnë nga vendet e tjera dhe shpresojmë që fluturimet e rregullta të nisin sidomos në BE.
Në qershor shpresoj se mund të kemi një rifillim, nuk mund të konfirmoj asnjë datë por ka një përpjekje nga të gjithë fluturimet. Nuk varet nga qeveria shqiptare por edhe nga vendet që do të nisin”, është shprehur drejtori i TIA-s.
Ndër të tjera ai ka theksuar se po punohet me të gjithë partnerët, për të vendosur në lidhje me rregullat që do të ndiqen nga kompanitë e fluturimit për sigurinë e pasagjerëve.