Koronavirusi ka shënuar në Itali 601 viktima në 24 orët e fundit. Edhe pse shifrat janë në ulje prej dy ditësh, prapë ky mbetet një numër i lartë.
Numri total i viktimave në Itali ka shkuar në 6,077. Ndërkohë janë evidentuar 3,780 raste të reja infektimi, duke e çuar numrin total të rasteve aktive në 50,418.
408 persona janë shëruar në orët e fundit, ndërsa 3,204 pacientë ndodhen në gjendje të rëndë.
Italia prej ditësh tashmë ka marrë vendin e parë si shteti me më shumë viktima nga koronavirusi. E dyta renditet Kina me më shumë se 3 mijë viktima.
Më pas vjen Spanja, ku numri i viktimave po njeh rritje të konsiderueshme nga dita në ditë. Më shumë se 2 mijë njerëz kanë humbur jetën nga ky virus në Spanjë.
Ndërkohë listës së shteteve që kanë konfirmuar vdekjet e para i janë shtuar edhe Mali i Zi, Gambia, Nigeria dhe Zimbabwe.
Covid-19 i ka marrë jetën më shumë se 16 mijë personave në të gjithë botën.