Ka ditë kur Italia njeh përmirësime sa i përket numrit të të infektuave, po ashtu edhe viktimave. Por këto raste janë shumë të rralla, ndërsa autoritetet duket sikur janë dorëzuar para koronavirusit vdekjeprurës.
Epidemia po shkakton çdo ditë bilance negative, e duket se kufizimet që janë shtyrë në datën 3 maj, do të zgjasin edhe më tej. Numri i viktimave ka shkuar në 19.899 dhe 156.363 persona janë të infektuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 431 viktima, shifra më e ulët që prej 18 marsit, për një total vdekjesh prej 19.899 persona.
Franco Locatelli, presidenti i Këshillit të Lartë të Shëndetit në Itali, është shprehur se shkollat duhet të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator.
“Personalisht mendoj se duhet të reflektojmë, dhe të vendosim për të rihapur shkollat në shtator dhe jo më parë”.
Ai tha gjithashtu se vendimi i takon qeverisë, por sipas tij, “ruajtja e distancës sociale dhe braktisja e sjelljeve dhe zakoneve individuale të deritanishme, na ka treguar se ka influencuar fort në uljen e numrit të personave të shtruar në spital. Dhe për rrjedhojë ulje e numrit të viktimave nga koronavirusi”.
Duke folur edhe për aktivitetet prodhuese, Franco Locatelli u shpreh se “zbatimi i distancës sociale dhe kufizimi i lirive personale ishte i dhimbshëm, por rihapja e aktiviteteve të prodhimit është një operacion delikat dhe duhet bërë gradualisht”.