Prej tre ditësh tashmë, Italia vijon të shënojë një rënie në numrin e viktimave të shkaktuara nga koronavirusi.
Në 24 orët e fundit, në vendin fqinj janë shënuar 53 viktima, 19 më pak se një ditë më parë. Kështu shkon në 33,899 numri total i vdekjeve të shkaktuara nga ky virus.
Një ulje e ndjeshme vërehet edhe në numrin e rasteve të reja, teksa në 24 orët e fundit janë konfirmuar 197 raste të reja, 73 më pak se dje.
Pjesa më e madhe e rasteve të reja (125) janë shënuar në Lombardi. Ndërkohë 759 persona janë shëruar nga koronavirusi në vendin fqinj.
Deri më tani, Itali ka regjistruar rreth 235 mijë raste infektimi, duke u renditur e shtata në botë me numrin më të lartë të rasteve, pas SHBA-ve, Brazilit, Rusisë, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Indisë.
Më shumë se 35 mijë raste janë ende aktive në shtetin fqinj, prej të cilëve 287 persona ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
COVID-19 ka prekur më shumë se 7 milionë njerëz nga e gjithë bota, ndërsa i ka marrë jetën mbi 403 mijë personave.