Një ngjarje e rëndë tronditi Vlorën mesditën e sotme, pasi një 40-vjeçar u ekzekutua në një atentat, në vendin e quajtur ”Bishti i Kalldrëmit’’.
Viktima, i identifikuar si Bledar Birçaj, po udhëtonte me mjetin e tij tip ‘’BMW’’, bashkë me një mikun e tij, kur rruga i është prerë nga një tjetër automjet që ishte në ecje.
Ai u dërgua me urgjencë në spital por, nuk ka mundur të shpëtojë. Me fat ka qenë miku i tij, i cili ka shpëtuar për mrekulli pavarësisht breshërisë së plumbave.
Por kush është viktima?
Bledar Birçaj është një emër jo i panjohur për policinë e Vlorës, pasi në 21 dhjetor 2010, ai së bashku me vëllanë e tij, Elton Birçaj, kanë dhunuar barbarisht ish-juristin e hipotekës së Vlorës me inicialet F.H.
Për këtë ngjarje, dy vëllezërit janë proceduar në gjëndje të lirë. Shkak i kësaj ngjarje është bërë, problemet që ata kanë pasur me dokumentacionin në një pronë që ndodhet në qytetin e Vlorës.
Birçaj është arrestuar dhe në 27 janar 2011 nga policia dhe prokuroria e Vlorës pasi dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë; “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”; si dhe “Shkatërrim prone”, për tu liruar më pas në prill të 2011-ës.
Mësohet se Birçaj kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanja, dhe një nga pistat ku po hetohet janë konfliktet që mund të ketë pasur në vendin iberik.