Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit dhe analisti James Hooper, tha se një marrëveshje Kosovë-Serbi ekziston, por vështirësia është te zbatimi i saj.
Zoti Hooper, i cili ka përvojë në negociatat diplomatike dhe në çështjet e Ballkanit, i tha kolegut tonë Ilir Ikonomi se nuk mund të arrihet një marrëveshje gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë pa shkëmbime territoriale.
Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, Kosova është nën presion për të rifilluar bisedimet me Serbinë, megjithëse nuk e ka formuar ende qeverinë e re. Ndërkohë Serbia pritet të mbajë zgjedhje në prill të vitit të ardhshëm. Sa e mundur është të rifillojnë bisedimet në rrethana të tilla?
James Hooper: Unë kisha menduar se ka qenë rënë dakord të rinisnin bisedimet për të rifilluar dialogun. Nëse me pyetjen nënkuptoni sa e mundur është të arrihet një marrëveshje në këto bisedime, duke pasur parasysh rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë dhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Serbi, unë mendoj se me të vërtetë ka shumë gjasa që ata të arrijnë një marrëveshje. Madje besoj se praktikisht ata tashmë e kanë një marrëveshje.
Zëri i Amerikës: Por ne nuk dimë asnjë detaj…
James Hooper: Unë në fakt mendoj se shumë nga detajet dolën, disa prej tyre edhe të pasakta. Dhe kosovarët kurrë nuk patën shansin të votojnë për këtë marrëveshje, të vendosnin për këtë marrëveshje. Nuk ka pse të përsërisim gjithë historinë e asaj që ndodhi. Por unë mendoj se presidenti Thaçi kishte rënë dakord që dialogu të rifillonte pa kushte. Dhe unë mendoj se ishte një veprim shumë i arsyeshëm për të ecur përpara, që të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse nëse nuk lëvizin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ekziston rreziku që dritarja e mundësisë të mbyllet dhe, nëse kjo ndodh, nuk do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për një kohë të pacaktuar.
Zëri i Amerikës: Pse do të mbyllej dritarja e mundësisë?
James Hooper: Sepse duhet të kesh dy partnerë që të funksionojë. Duhet të kesh partnerë në Kosovë të cilët të jenë të gatshëm të negociojnë një marrëveshje të tillë dhe të cilët të kuptojnë premisën e kësaj marrëveshjeje, të kuptojnë se çfarë është e arsyeshme të presin nga Serbia dhe ato që nuk mund të marrin prej saj. Dhe duhet të kesh dikë në Serbi i cili është i gatshëm ta bëjë këtë me Kosovën. Besoj se është më e lehtë të gjesh një partner të tillë në Kosovë sesa në Serbi. Por të dyja palët duhet të bien dakord për këtë “valle”. Përndryshe nuk ka marrëveshje. Dhe është e thjeshtë kur sheh nga jashtë, kur nuk je në pushtet, kur nuk je duke negociuar, të thuash “nuk i pranoj kushtet”, “duhet të ketë kushte më të favorshme.” Të gjithë ata që nuk janë në pushtet dëshirojnë gjithmonë kushte më të mira. Dhe ata gjithmonë mendojnë se mund të sigurojnë kushte më të favorshme. Kur marrin detyrën, ata zbulojnë se nuk mund të sigurojnë kushte më të mira. Dhe kjo do të jetë vështirësia për Kosovën dhe mendoj në veçanti për zotin Kurti, sepse ai shihet si dikush që ka marrë një pozicion të linjës së ashpër. Ai do të zbulojë se në fakt ka tashmë një marrëveshje dhe se nuk do të jetë në gjendje t’i ndryshojë këto kushte. Nuk bëhet fjalë thjesht të kërkohet që Serbia të japë më shumë. Kjo do të ishte më e thjeshta. Në fakt serbët mund të thonë që kosovarët duhet të japin më shumë. Kjo ndodh gjithmonë në negociata.
Zëri i Amerikës: Do të mbetet një mister nëse ka pasur një marrëveshje apo jo, meqenëse detajet nuk janë thënë zyrtarisht. Por cili mendoni se do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara në bisedime tani që ata kanë dy të dërguar të posaçëm: një për Ballkanin dhe një direkt për bisedimet, ambasadorin Grenell. A do të jenë ata në gjendje ta shpejtojnë procesin?
James Hooper: Unë mendoj se si ndihmës sekretari i Shtetit (Philip) Reeker, ashtu edhe (Matthew) Palmer që është i dërguari i posaçëm për Ballkanin, për bisedimet Serbi-Kosovë, janë shumë të efektshëm në punën e tyre, janë shumë profesionistë, kanë ndërmjetësuar negociata në të kaluarën. Kam shumë besim tek ata.
Zëri i Amerikës: Personi tjetër është ambasadori Grenell.
James Hooper: Ambasadori Grenell shton një element. Nuk jam i sigurt. Ai mund të jetë shumë efektiv. Unë nuk e kam takuar ndonjëherë, nuk e njoh, di vetëm që është ambasador në Gjermani. Por të kesh një ambasador amerikan në një vend evropian, të cilit i jepet edhe një rol i veçantë në çështjen e Serbisë dhe Kosovës, kjo krijon dyshimin se këtu ka interesa politike, jo vetëm interesa të politikës së jashtme apo të sigurisë kombëtare, por edhe të tjera.
Donald Trump vendos, ja kush është i dërguari i tij në bisedimet Kosovë-Serbi
Zëri i Amerikës: Të brendshme e keni fjalën?
James Hooper: Po, ngjall dyshime për një gjë të tillë. Nuk është se ka ndonjë pikëpyetje nëse Serbia ose Kosova ishin të përfshira në zgjedhjet amerikane, në përpjekje për t’i sabotuar ose ndikimin në rezultatin e tyre. Në këtë rast thjesht më duket se është e panevojshme. Shpresoj që arsyeja të ketë qenë sepse Uashingtoni dëshironte të rriste shanset që Gjermania të jetë më akomoduese, më elastike dhe më mbështetëse për një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, sepse herën e fundit ata e hodhën poshtë marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, ç’formë do të ketë një kompromis, një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Albin Kurtin në pushtet dhe a ekziston ende ideja e shkëmbimit të territorit?
James Hooper: Nuk mund të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse pa një element territorial. Nuk e di se cila do të jetë pikëpamja e Albin Kurtit. Pikëpamja si një udhëheqës i një partie opozitare është diçka tjetër, e kuptoj pikëpamjen e tij në atë rol. Cili do të jetë këndvështrimi i tij në postin e kryeministrit, këtë nuk e di dhe nuk dua të spekuloj. Por mendoj se ai do të gjendet përballë realitetit dhe për të mund të jetë një realitet i vështirë për t’u pranuar. Realiteti është se marrëveshja tashmë është negociuar. Marrëveshja ekziston. Në thelb është rënë dakord…
Zëri i Amerikës: Për shkëmbim territoresh?
James Hooper: Përfshirë një shkëmbim territoresh por jo vetëm shkëmbim territoresh por duke përfshirë edhe anëtarësimin në OKB. Realiteti është se kjo nuk do të ndryshojë dhe nuk e di se si Albin Kurti do të reagojë për një gjë të tillë si kryeministër. E përsëris se nuk mund të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa një element territorial.
Zëri i Amerikës: Atëherë përse Shtetet e Bashkuara nuk po bëjnë presion për këtë, zoti Palmer nuk a ka përmendur. Ai ka thënë u takon palëve…
James Hooper: Kjo është ajo që po thonë tani dhe ajo në fakt është zgjidhur mes palëve, mes zotit Vuçiç dhe zotit Thaçi. Mund të ketë disa gjëra të vogla për t’u zgjidhur por në thelb është rënë dakord për këtë marrëveshje. Njerëzit që nuk kanë përvojë me negociata nuk kuptojnë diçka: kritikët e marrëveshjes në Kosovë dhe kritikët e marrëveshjes në Serbi, mbajtën të njëjtin qëndrim: Duhet të përfitojmë më shumë. Nuk mund të ketë ndryshim territori. Kufijtë janë të përcaktuar. Nëse të marrësh më shumë, është baza mbi të cilën hyn në negociata, kjo nuk të çon në një marrëveshje. Por, nuk mund të sigurosh zbatimin kur kërkon më shumë për vete. Dhe është e njëjta gjë me Serbinë. Ata duhet të garantohen që Kosova të marrë mjaftueshëm që kjo marrëveshje të pranohet në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Po, por ndjenja popullore është mjaft e fortë kundër një marrëveshjeje që përfshin shkëmbimin e territoreve.
James Hooper: Dhe ky është një problem i mirëfilltë. Dhe kjo ndoshta është kjo një nga arsyet që amerikanët nuk kanë thënë shumë sepse janë duke pritur për fazën e zbatimit. Ajo që duhet të shohim në Kosovë dhe mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ishte një problem i madh në të kaluarën, është se marrëveshja nuk u bë publike kurrë plotësisht dhe njerëzit kurrë nuk patën asnjë shans ta votojnë atë. Qeveria nuk pati me të vërtetë një shans ta mbronte atë. Kështu që gjithnjë është e lehtë të sulmosh një marrëveshje të panjohur, kushtet e së cilës nuk i njeh./VOA