Qytetarët janë ende në panik lidhur me faktin se çfarë do të bëhet me fatin e tyre, pasi banesat janë në rrezik shembje. Lidhur me këtë çështje, inxhinieri Agim Seranaj thotë se nëse pallatet kanë vetëm plasaritje, atëherë nuk përbëjnë rrezik për jetën. Teksa ka folur në ‘ABC ja e mëngjesit’ për vlerësimin e banesave që janë dëmtuar nga tërmeti, inxhinieri siguroi qytetarët se rreziku ka kaluar.
“Nëse pallatet e larta nuk kanë çarje të mëdha, dëmtime serioze, por plasaritje suvaje dhe i kanë rezistuar mësë miri tërmeteve, nuk ka asnjë rrezik të kthehesh në to. Lëkundjet mund të ndjehen, por rrezik nuk ka, veçanërisht në Tiranë”, shprehet ai.
Ndërkohë, Seranaj shprehet se në Durrës në Lagjen 4, zona e Stadiumit dhe Spitallës ka patur shumë dëmtime dhe në pallate me shumë kate. Ku disa prej tyre nuk mund të kthehen në gjendje funksionale.
“Vlerësimi në kushte emergjence është i nevojshëm, ne përdorim një kategorizim. Fatkeqësisht në zonën e Durrësit dhe në Lagjen 4, zona e Stadiumit dhe Spitallës dhe në këtë zonë ka patur shumë dëmtime, dhe jo pak raste të pallateve me shumë kate. Një numër i vogël i tyre janë dëmtuar sa nuk mund të kthehen më në gjendje funksionale, dhe një pjesë që me riparime të vogla bëhen të banueshme”.
Sipas tij, 80% e objekteve në Durrës janë të përdorshme edhe sot. Inxhinieri theksoi se ato ndërtesa që nuk kanë pësuar dëme as nga tërmeti i 21 shtatorit dhe as nga ai i 26 nëntorit, nuk ka pse të kenë frikë. “Të gjitha këto që nuk kanë pësuar as plasaritje, as në të parin as në këtë tërmet, nuk ka pse të kenë frikë. Edhe në Durrës 80% e objekteve janë të përdorshme edhe sot”.