Nga Srgjan Majstoroviç, “European Western Balkans”/Kur ka kaluar gjysma e vitin 2018, është e sigurt të thuhet se ky është viti i rikthimit të politikës së zgjerimit të BE-së.
Ai filloi me komunikimin në shkurt nga Komisioni Evropian, të perspektivës së zgjerimit të besueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, pasuar nga publikimi i raporteve për vendet e veçanta në muajin prill.
Këshilli miratoi përfundimet, që i hapën rrugën çeljes së bisedimeve të pranimit mes BE dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë (së shpejti Maqedonia Veriore) në qershorin e vitit 2019.
Që të kenë sukses, udhëheqësit nga rajoni duhet të rifitojnë besueshmërinë, duke iu nënshtruar qartë transformimit real në periudhën e ardhshme, sidomos gjatë vitit të ardhshëm.
Viti i ardhshëm, do të karakterizohet nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian, dhe më pas nga formimi i Komisionit të ri Evropian. Do të jetë viti i finalizimit të negociatave Brexit, debatit të ndezur për buxhetin shumëvjeçar të BE-së, hartimin e politikës së përbashkët të emigracionit, dhe debatit të vazhdueshëm mbi të ardhmen e Evropës.
Mjedisi i përgjithshëm politik, nuk do të jetë shumë dashamirës ndaj zgjerimit të BE-së. Kjo periudhë, duhet të shfrytëzohet nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për të vërtetuar besueshmërinë dhe aftësinë e tyre, në nxitjen e mëtejshme të agjendës së transformimit, të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe dhe strukturore, për të qenë në gjendje të kërkojnë ligjërisht agjendën pozitive të zgjerimit nga BE dhe Komisioni i ri Evropian.
Në 10 vjetorin e Fondit Evropian për Ballkanin, grupi i Këshillit të Politikave të Ballkanit në Europë (BiEPAG), ka publikuar Deklaratën e Partneritetit Evropian për Ballkanin.
Deklarata pranoi urgjencën për të transformuar vëmendjen pozitive në sukses, rigjallërimin e reformave në rajon, dhe kompletimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo i bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara, për marrëdhënie më të sinqerta dhe transparente, me një theks të qartë në transformimin demokratik të rajonit.
Partneriteti Evropian i Ballkanit, është i vendosur të promovojë “bashkimin e ri” midis BE-së dhe Ballkanit, bazuar në 4 përbërës: angazhimin më të fuqishëm të BE-së me Ballkanin; përpjekjet më sistematike për të promovuar një kulturë të të mësuarit për të çuar përpara kapitalin njerëzor; një afrim rajonal i sinqertë dhe i qëndrueshëm; dhe një vizion i përshtatur, për një bashkëpunim më të ngushtë në fusha të ndryshme të politikave të BE-së.
Për të ardhmen evropiane të rajonit, është e rëndësishme të fillohen sa më shpejt bisedimet e pranimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Është inkurajuese të shihet, se në bazë të konkluzioneve të Këshillit në samitin e qershorit, Komisioni Evropian po përgatit fillimin e procesit të shqyrtimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Përgatitja e planeve të veprimit për Sundimin e Ligjit, kapitujt 23 dhe 24, duhet të pasohet menjëherë pas shqyrtimit. Për më tepër, shqyrtimi duhet të jetë i hapur për vendet kandidate potenciale të Bosnjës dhe Kosovës si vëzhgues, dhe të dyja këto të fundit duhet të përgatisin gjithashtu planet përkatëse të veprimit.
Një nga sfidat më të mëdha në të ardhmen, do të jetë zhvillimi i mëtejshëm i kapitalit njerëzor në rajon. Mjerisht, vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me forma të ndryshme të përjashtimit social, kryesisht lidhur me papunësinë dhe varfërinë, që po e detyron një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që largohet nga rajoni.
Kjo sfidë duhet të adresohet duke ndalur ikjen e trurit, përmirësimin e politikave ekonomike, sociale, shëndetësore dhe arsimore, promovimin e nismave të inovacionit, ekonomisë së zgjuar dhe digjitalizimit.
Nuk ka të ardhme të përbashkët në rajon, pa kuptuar dhe pranuar të kaluarën e përbashkët. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, janë çelësi i suksesit të rajonit.
Mosmarrëveshjet dypalëshe, duhet të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur. Tregjet e vogla dhe të fragmentuara, dhe zhvillimi i projekteve infrastrukturore në rajon, kërkojnë përpjekje të mëtejshme të përbashkëta të filluara në kuadër të Procesit të Berlinit.
Së fundi, duke u bazuar në Komunikimin e KE-së për perspektivën e zgjerimit të besueshëm, BE duhet të shqyrtojë çdo mundësi për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një fushë më të gjerë të politikave të BE-së dhe përpara përfitimeve të zgjerimit.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të ftohen për të kontribuar në një Evropë më të sigurt. “Evropa që mbron”, është slogani i presidencës aktuale austriake, që adreson frikën e qytetarëve, dhe përmirëson bashkëpunimin e sigurisë në BE.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, janë pjesë e Evropës, dhe mund të kontribuojnë në sigurinë e saj. Vendet e Ballkanit Perëndimor, janë një pjesë e qartë e mozaikut të sigurisë në luftën kundër emigrantëve të jashtëligjshëm, siç e dëshmuan në vitet 2015-2016.
Sidoqoftë, një Evropë e sigurt duhet të mbetet një Evropë e hapur. Rizbulimi i integrimit evropian, si një përpjekje rajonale për të përballuar sfidat e globalizimit, kërkon si thellimin ashtu edhe zgjerimin e BE-së.
Ne ndajmë gjeografinë, historinë, të tashmen e përbashkët, por më e rëndësishmja, ne ndajmë të ardhmen e përbashkët. Përfundimet e Këshillit në qershor, nuk ishin të lehta për t’u arritur për shkak të frikës, dhe dyshimeve të shprehura nga disa shtete anëtare të BE.
Në rrethana të caktuara, është inkurajuese të shihet se është përcaktuar rruga për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Mënyra e vetmja pozitive për të adresuar frikërat dhe dyshimet, është të provohen aftësitë, ose që rajoni të zgjidhë çështjet e pazgjidhura, që po ndikojnë ende në imazhin e keq të Ballkanit Perëndimor në mesin e qytetarëve në BE, pra mosmarrëveshjet dypalëshe, sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, ndarjen e pushtetive dhe garantimin e mediave të lira.
Shënim: Srgjan Majstoroviç, kryetar i bordit drejtues në Qendrën e Politikave Evropiane (CEP) dhe anëtar i Grupit Këshillues të Politikave Evropiane në Ballkan.
PËRSHTATI TIRANA TODAY