Greqia ndodhet në kohë zgjedhjesh elektorale, pas vendimit të kryeministrit grek Tsipras për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Alexis Tsipras ka hapur fushatën e tij elektorale ku ka prezantuar programin e partisë së tij Syriza. Gjatë fjalës së mbajtur ai është ndalur gjatë edhe te politika e jashtme, ku ka folur edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe me shtetet e tjera fqinje.
Kryeministri grek tha para mbështetësve të partisë së tij se një nga pikat e forta të programit të tij elektoral dhe objektiv, për mandatin e ardhshëm të qeverisë në rast fitoreje, do të jetë edhe vendosja e një kushti ndaj Shqipërisë për pranimin në BE.
“Të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri për herë të parë përcaktohen si kriter për hyrjen në Bashkimin Europian”, ka deklaruar Tsipras.
Greqia ka kërkuar vazhdimisht respektimin e të drejtave të minoritetit grek dhe të pronave të tyre, sidomos në zonën e Himarës, si një nga kriteret për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kujtojmë se pjesë e zgjedhjeve vendore në Greqi do jetë edhe Ermioni Katsifas, e motra e minoritarit grek, Konstandinos i cili u vra gjatë një përballjeje me forcën e policisë shqiptare.
Ajo kryeson listën zgjedhore për parlamentin grek me partinë “Bashkimi i Qendrorëve”.
Kryetari i kësaj partie, Vasilis Leventis ishte ai i cili bëri përzgjedhjen e Katsifas duke deklaruar se “vendosim motrën e homogjenit që u ekzekutua padrejtësisht nga policia shqiptare, ditën e përkujtimores së 28 tetorit, në tokën e shenjtë të Vorio Epirit”.
Zgjedhjet vendore në Greqi pritet të mbahen më datë 30 qershor.