Eksportet shqiptare drejt Kinës pësuan një rritje të ndjeshme gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti krahasuar me 7-mujorin e vitit 2016.
Sipas statistikave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë periudhës janar-korrik 2017 eksportet arritën në vlerën e 4.887 milionë lekëve, ndërsa në janar-korrik të 2016 vlera e eksporteve ishte 3.139 milionë lekë.
Ndërsa importet, bëhet e ditur nga statistikat, llogariten 26.651 milionë lekë, me një ulje të ndjehsme krahasuar me janar-korrik të vitit 2016, kur u importuan 29.327 milionë lekë mallra.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, 6.21 % e vëllimit tregtar në shtatëmujorin e parë të këtij viti u krye me Kinën.
INSTAT bën të ditur gjithashtu se në 2016 importet nga Kina u rritën 8.8 % krahasuar me 2015.
Referuar strukturës së mallrave, nga Kina importohen makineri, pajisje, pjesë këmbimi, materiale ndërtimi, metale, si dhe tekstile dhe këpucë. Ndërsa eksportohen kryesisht minerale.