Tetë autobusë që udhëtonin nga Shqipëria nëpërmjet Kosovës, janë ndaluar në pikën kufitare të Morinës. Mësohet se ndalimi i mjeteve është bërë me urdhër të Ministrisë së Transporteve në Kosovë.
Duke iu referuar palës kosovare, autobusët nuk plotësojnë kushtet teknike. Autobusët i përkasin linjës Tiranë-Bajram Curri, dhe u ndaluan në orët e para të ditës. Drejtuesit e autobusëve janë shprehur se bllokimi është i qëllimshëm, për të mos i lejuar të udhëtojnë nga Kosova.
“Kërkojmë të na lejojnë të kalojmë, në të kundërt do bllokojmë rrugën”, ka deklaruar një prej shoferëve të autobusëve.
Nga ana tjetër, autoritetet kosovare kanë shpjeguar se autobusët nuk kanë kushtet e duhura teknike.